Enea Mihaj ka debutuar në vitin 2018, në moshën 20- vjeçare, me Kombëtaren shqiptare, nën drejtimin e Kristian Panuçit dhe që atëherë ka qenë pjesë e rregullt e kuqezinjve edhe pse në këmbët e tij nuk janë marrë shumë minuta.
Kjo, për shkak edhe të dëmtimeve që ka pësuar. I aktivizuar në pjesën e dytë ndaj Anglisë dhe gjithë takimin me Andorrën, qendërmbrojtësi që luan te PAOK-u në Superligën greke, flet për “Panorama Sport” në lidhje me ekipin kombëtar dhe objektivat, Pirlon si idhullin e tij si futbollist, por edhe për aventurën te skuadra greke në këtë sezon.
Mihaj, jemi në fund të 2021-shit dhe në këtë vit kemi mbyllur eliminatoret e Kombëtares. Si e cilësoni performancën e skuadrës?
E vërteta është se ne nuk arritëm të kualifikoheshim në “play off”, për të pretenduar pjesëmarrjen në Kupën e Botës, por mendoj se treguam një imazh të mirë dhe e humbëm këtë mundësi në detaje.
Ju personalisht, si ndiheni pas mbarimit të këtij edicioni?
Personalisht nuk mund të luaja në aq ndeshje sa doja, e vërteta është se humba një pjesë të madhe për shkak të lëndimit, por jam krenar për përpjekjet dhe sprovën time.
Rekord pikësh, por gjithsesi nuk la një shije të mirë te tifozët. Mos ndoshta ndikoi humbja me Poloninë dhe ajo shthurje me Anglinë?
Është diçka që nuk duhet ta harrojmë. Kemi arritur një rekord pikësh, po jo vetëm, kemi luajtur futboll të mirë në shumicën e ndeshjeve. Mendoj se në ndeshjen jashtë fushe kundër Polonisë nuk e kishim pjekurinë në lojën tonë, edhe pse ishim më të mirë se kundërshtari.
Ndërsa për ndeshjen në shtëpi mund të them se ishim të pafat. Humbëm lojtarë të rëndësishëm për shkak të COVID-it dhe lëndimeve, por përsëri bëmë një përpjekje të madhe dhe ishte vetëm një moment që përcaktoi lojën
Cilin futbollist keni pasur idhull?
Andrea Pirlo ishte një nga të preferuarit e mi.









