HomeFUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREFlasin gazetarët/ Elvis Rexha: Vllaznia është jashtë garës për titull, por ndaj...

Flasin gazetarët/ Elvis Rexha: Vllaznia është jashtë garës për titull, por ndaj Tiranës luan për krenarinë e saj

Ndeshja e nesërme Vllaznia-Tirana është tema e momentit në këtë fundjavë të 30-të të Abissnet Superiore. “Klasikja” e futbollit shqiptar vjen në një moment të rëndësishëm për kampionatin shqiptar, ku gara e titullit kampion mund të rihapet, por edhe mund të mbyllet.

Rezultati i saj mund të vendosë shumë gjëra dhe pikërisht për këtë arsye, vëmendja është e përqëndruar vetëm në këtë “Klasike” të futbollit shqiptar. Megjithatë, kush është favorit për ndeshjen e nesërme?

Një pyetje që për momentin nuk mund t’i japë askush përgjigje, por ne kemi të drejtë të parashikojmë. Të shohim kush ka më shumë avantazhe dhe disavantazhe, kush ka futbollistët në në formë dhe a do të vendosin dy trajnerët Goçe Sedloski dhe Orges Shehi në këtë ndeshje apo jo.

Pikërisht për këto arsye, gazeta “Shkodra Sport” ka vendosur të bisedojë me një panel gazetarësh nga më të njohurit në Shqipëri, për të marrë prej tyre përgjigjet e pyetjeve të ndryshme. E nisim këtë rubrikë me komentatorin e mirënjohur të SuperSport në platformën Digitalb, Elvis Rexha. Më poshtë, keni mundësi të lexoni intervistën e tij dhënë për gazetën tonë gazetarit Maringlen Zhivani.

-Atëherë Rexha, si e shikoni ndeshjen Klasike të ditës së nesërme Vllaznia-Tirana, si e gjykoni një duel të tillë në këtë moment?

Të them të vërtetën në fillim të sezonit mendoja që ky do ishte deri në fund një duel për titullin, pore curia e Vllaznisë ka patur shumë ulje-ngritje. Personalisht vazhdoj të kem mendimin që Vllaznia është ekipi më i kompletuar dhe më me shumë cilësi në Superiore. Vllaznisë i duhet fitorja për të siguruar Europën nëpërmjet kampionatit, por edhe për të përmirësuar imazhin e një sezoni me luhatje, ndërsa Tirana kërkon fitoren që e çon më pranë titullit.


-Rexha në këndvështrimin tuaj, cili nga të dy ekipet mendoni se mund të kishte mundësi për të bërë më mirë në këtë sezon?

Padiskutim prisja më shumë nga Vllaznia. Prisja një rival të fortë, në mos pretendenten kryesore për titull. Ndërkohë, Tirana është në krye. Unë mendoj që ka marrë më shumë se maksimumi për largimet që ka patur nga skuadra.

-Besoj përveç futbollistëve në fushë do të jetë edhe një duel trajnerësh mes Goçe Sedloskit dhe Orges Shehit, sa i vlerësoni të dy këta trajnerë dhe cili mendoni se mund të rezultojë më vendimtar me lëvizjet e tij?

Sedloskin nuk e njoh dhe shpresoj shumë që të jetë zgjedhja e duhur për Vllazninë, ndërsa Shehi ka treguar që armën e tij më të fortë ka qetësinë në ndeshje deçizive. Unë mendoj që diferencën në një ndeshje si kjo nuk e bëjnë trajnerët, por futbollistët në fushë, edhe pse strategjia e Shehit për interpretimin e ndeshjeve të tilla ka rezultuar efikase.

-Rezultatet negative të javëve të fundit e kanë nxjerrë nga pretendimet për titull Vllazninë, ndikon ndopak kjo për këtë ndeshje?

Nuk besoj që largimi nga gara për titull mund të ndikojë tek Vllaznia në një ndeshje si kjo. Realisht luhet derbi i Shqipërisë dhe përtej objektivave, kjo sfidë vlen edhe për krenarinë. Futbollistët në fushë dhe tifozët në tribuna kanë garë për të triumfuar në një duel si ky. Prandaj, mendoj që klasifikimi apo objektivat kanë pak rëndësi.

-Mendoni që një fitore ndaj Tiranës, e afron më shumë Vllazninë pranë titullit kampion apo është çështje e mbyllur pjesa e kreut për kuqeblutë?

Unë besoj që Vllaznia është jashtë garës për titull. Edhe pse matematika e lejon, titulli duket një mision i pamundur, pasi kuqeblutë duhet të fitojnë të gjashtë sfidat e mbetura të sezonit dhe Tirana të humbasë tetë pikë gjatë kësaj periudhe, pa harruar që përpara në klasifikim janë edhe Partizani dhe Egnatia.


-E fundit Rexha, kush mund ta fitojë ndeshjen dhe kush mund të rezultojë ndoshta vendimtar në këtë Klasike të fundit të këtij sezoni?

Unë mendoj që Tirana ka qetësinë dhe entuziasmin e rezultateve të fundit dhe të klasifikimit, ndërsa tek Vllaznia presioni i fitores mund të ndikojë për keq. Unë mendoj që Hasani dhe Latifi mund të jenë deçizivë, pasi janë dy futbollistë shumë teknikë, pa harruar pastaj dy futbollistë tepër cilësorë si Balaj dhe Abazaj.
Maringlen ZHIVANI

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments