Nga Endri ÇINARI
Duhej të vinte java e 7-të e sezonit 2025-26 të Superiores dhe një periudhë prej thuajse 9 muajsh që Vllaznia të rikthehej tek fitorja jashtë fushe në kampionat. Shkodranët me triumfin 0-1 ndaj Bylis të shtunën e kaluar në stadiumin “Adush Muça”, arritën të thyenin një “ters” që e ndiqte ekipin që nga data 31.01.2025. Kjo pasi ekipi kuqeblu që nga ajo datë ku triumfonte në Durrës përballë Teutës me shifrat 1-3, nuk njihte fitore jashtë Shkodrës.
Në këtë mënyrë shkodranët morën suksesin e parë në kampionat jashtë fushe, ku më përpara kishin pësuar një disfatë 3-1 ndaj Dinamos dhe ishin ndalur në një barazim në sekondat e fundit në Durrës ndaj Teutës në shifrat 1-1. Kështu Vllaznia hoqi “tersin” që e ndiqte në ndeshjet jashtë Shkodrës që prej muajit janar, me 9 herë kampionët e vendit të cilët e kishin të “pamundur” të triumfonin nëpër transferta në ndeshjet e kampionatit.
Patjetër kjo kënaq në rradhët e kuqebluve, të cilët pavarësisht se kanë një rekord fitoresh përsa i përket ndeshjeve shtëpiake, “vuanin” për të gjetur sukseset larg Shkodrës. Por, në duelin ndaj Bylis u duk se kjo “tabu” u thye tashmë, me shkodranët që do kërkojnë përmirësimin e rezultateve sërish si brenda ashtu edhe jashtë fushe.
Kjo edhe për vetë objektivin e skuadrës së drejtuar nga Martini, që këtë edicion duket se ka vetëm një qëllim dhe ai është rikthimi i titullit pas 25 vitesh “thatësirë”.(www.shkodrasport.com)