Futbollisti shkodran, Flori Spahija, po kalon një periudhë pozitive te Vjosa, ku është i huazuar nga FC Prishtina. Mbrojtësi është ambientuar shpejt dhe po gjen hap pas hapi ritmin e duhur pas një lëndimi që e kishte mbajtur për disa kohë jashtë fushave.

Në një prononcim për Gazetën Express, ish-lojtari i Vllaznisë foli për përshtatjen e tij në klubin kosovar, për të ardhmen dhe për lidhjen e veçantë që ruan me ekipin kryeqytetas.

“Te Vjosa mendoj se jam ambientuar shumë mirë me shokët e ekipit, stafin teknik dhe gjithë ambientin. Është një ekip që u plotësua pak para fillimit të kampionatit, por pavarësisht pozicionit në renditje, mendoj se me lojën në rritje që kemi treguar javët e fundit, do të fillojmë edhe serinë e rezultateve pozitive. Jam shumë i kënaqur me aktivizimin, sepse vija nga një dëmtim dhe ajo që më duhej më shumë ishte të luaja rregullisht në formacion,” – tha Spahija.

Mbrojtësi që ka mbajtur edhe fanellën e Kombëtares shqiptare të moshave theksoi se për momentin është plotësisht i përqendruar te projekti i Vjosës, por nuk e përjashton një rikthim te Prishtina në muajt e ardhshëm.

“Për momentin jam i fokusuar te Vjosa. Pastaj kemi kohë deri në dhjetor për të diskutuar për rikthimin te ekipi i Prishtinës,” – shtoi ai.

Edhe pse kishte disa alternativa nga Superliga Shqiptare, mes tyre edhe interesime nga Dinamo City e Ilir Dajës dhe nga Partizani, Spahija vendosi të vazhdojë aventurën në Kosovë, duke e cilësuar këtë si zgjedhjen më të përshtatshme për fazën aktuale të karrierës së tij.

“Të them të drejtën, dëshira ime ishte që të ndryshoja ambient, edhe pse kisha oferta nga Superliga Shqiptare. Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur,” – deklaroi mbrojtësi shkodran.

Në fund, 22-vjeçari nuk e fsheh lidhjen emocionale me Prishtinën, klub që e cilëson si simbol të futbollit kosovar dhe që ka një nga bazat më të forta të tifozëve në rajon.

“Çdo futbollist ka si synim të japë më të mirën për ekipin që përfaqëson. Dua të jap maksimumin sot për Vjosën, dhe nesër, kur të rikthehem te Prishtina – ekip me histori të madhe dhe tifozë ndër më të zjarrtët në rajon,” – përfundoi Spahija.