✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI

Pankinës e Basanias në barazimin e fundit ndaj Naftëtarit në shifrat 3-3, në mungesë të Haxhiosmanoviç për arsye shëndetësore, e drejtoi Erjon Mani. Trajneri i bushtasve pas këtij dueli foli në një intervistë të shkurtër për “Shkodra Sport”, duke nënvizuar se deri diku është i kënaqur me pikën. Por, ndoshta skuadra me pak përqendrim mund të merrte edhe 3 pikët në Kuçovë. Ndër të tjera Mani komenton edhe pushimin e kampionatit dhe mundësitë për përmirësime në skuadër. E po ashtu mundësinë për të vijuar si trajner i parë i skuadrës, ku thotë se ky është një vendim që i takon drejtuesve të klubit.


-Mani, një pikë në Kuçovë, i kënaqur?

Çdo pikë është e rëndësishme, por për objektivat që ne kemi nuk mund të jemi të kënaqur me vetëm një pikë. Ne futemi gjithmonë me objektivin për të marrë 3 pikët ndaj çdo kundërshtari edhe në çdo fushë. Atë donim edhe ndaj Naftëtarit e të reagonim pas humbjes së fundit. Them se skuadra dha shenja pozitive, pavarërisht se ka ende potencial për më tepër.


-Ndeshja edhe mund të ishte humbur, ku vendasit kishin një rast të mirë në fund apo jo?

Kjo është e vërtetë, por edhe ne kishim mundësi të mos e diskutonim fare ndeshjen në fund. Sepse kishim 2-3 mundësi shumë të mira për të kaluar në avantazh të dyfishtë. Me pak qetësi dhe gjakftohtësi do merrnim 3 pikët, por edhe mund të dilnim me 0 në fund. Futbolli i tillë është dhe asgjë nuk është matematikë e saktë.


-Çfarë duhej të bënte diçka më tepër skuadra në këtë duel?

Të zgjidhnim më me qetësi disa situata, të mos përsërisim gabimet që kemi bërë në këto javë. Ndoshta edhe terreni bën që të mos shprehesh siç duhet, por ky nuk është justifikim. Po ashtu kishim edhe disa mungesa të rëndësishme, që ndikojnë edhe tek skuadra dhe ajo çfarë shfaqet në fushën e lojës.


-Do shërbejë pushimi i kampionatit për mirë tek Basania?

Fillimisht uroj që gjatë kësaj kohe të na kthehen të dëmtuarit. Po ashtu do analizojmë gabimet dhe të mundohemi t’i shmangim në javët e ardhshme. Kjo skuadër ka cilësi dhe jam i bindur se për lojtarët që kemi duhej të kishim disa pikë më shumë, të cilat uroj t’i rikuperojmë në javët që do vijnë.


-Në krye të pankinës ndaj Naftëtarit, do vijojë ky rol për ty edhe javët e ardhshme?

Ky është një vendim që nuk më takon t’a komentoj sepse është e drejtë e drejtuesve të klubit. Unë di të them se jam i lumtur tek Basania që është një familje, ku unë jap kontributin tim prej më shumë se 4 vitesh tashmë. Dhe do jem i gatshëm gjithmonë për këtë skuadër.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”