✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Fitorja ndaj Dinamos së fundmi në shifrat 1-0 ka rikthyer edhe njëherë Vllazninë në krye të Superiores. Me kuqeblutë që u “hakmorën” ndaj kryeqytetasve pas humbjes në fazën e parë me rezultatin 3-1. E duket se ky sukses ka shpërblyer futbollistët e skuadrës shkodrane, të cilët “përfitojnë” edhe nga pushimi i kampionatit, për shkak të angazhimit të kombëtares shqiptare. Kështu skuadra shkodrane do shijojë 3-4 ditë pushime, për t’u rikthyer në fushën e lojës gjatë së mërkurës.
Kështu Martini ka vendosur të relaksojë skuadrën e tij, si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht. Në mënyrë që 9 herë kampionët e vendit të rikthehen sa më të freskët dhe të fortë në rinisjen e edicionit. Ku do ketë një tur force deri në fundin e muajit dhjetor për kuqeblutë dhe gjithë ekipet e tjera të Superiores.
Po ashtu kjo periudhë do shfrytëzohet për të rikuperuar edhe disa nga futbollistët e dëmtuar gjatë këtyre javëve. Ku dy futbollistët që janë në fokus nga ana e stafit mjekësor janë Kristian Dros dhe Çarls Bismark. Me dyshen që me shumë mundësi do rikthehen në fushën e lojës në momentin që kampionati do startojë sërish në javën e 12-të.
Po ashtu këto ditë do shërbejnë edhe për emra si Bajrami, Murataj dhe Qato që të marrin formën më të mirë fizike. Kjo pas dëmtimeve të pësuara dhe ende mos arritjes në 100% të formës nga ana e tre futbollistëve, të cilët konsiderohen të rëndësishëm në rradhët e shkodranëve.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







