✍️ Shkruar nga Gjergj KOLA

Do të nisin sot në Kroaci ndeshjet kualifikuese të “Euro U17” për kombëtaren tonë dhe sfidën e parë në grup do ta kenë pikërisht në orën 13:45 ndaj ekipit të Hollandës. Nj sfidë padyshim shumë e fortë sepse kuqezinjtë do të përballen me njërin prej ekipeve më të mira të Europës.

Megjithatë Shqipëria nën drejtimin e trajnerit Fatjon Tafaj do të mundohet të bëjë më të mirën në këto ndeshje, kur kemi parasysh se në grup përveç Hollandës është edhe Kroacia dhe Kazakistani.

Pjesë e kombëtares tonë siç dihet janë edhe dy futbollistët e Akademisë Vllaznia, Simon dhe Sokol Uldedaj, po ashtu janë edhe shkodranët e tjera Majkol Luka që vjen nga Italia ku luan me ekipin e Fiorentinës si dhe Ermal Ymeri që siç dihet vjen nga Suedia ku është pjesë e Akademisë së njohur ““Brommapojkarna”.

Ymeri po kalon një formë shumë të mirë sportive me ekipin e tij dhe sigurisht që do të kërkojë ta bëjë të njëjtën gjë edhe me kombëtaren kuqezi. Ai vjen me shumë dëshirë për të përfaqësuar skuadrën tonë përfaqësuese dhe në një prononcim të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” para këtij grumbullimi u shpreh i lumtur që do të jetë pjesë e kombëtares edhe në këto ndeshje kualifikuese.

Ermali është një lojtar i cili aktivizohet në disa pozicione në fushën e lojës dhe kjo padyshim e bën atë edhe më të veçantë sepse ka mundësinë dhe aftësitë që të jetë në dispozicion të trajnerit për ta aktivizuar edhe në pozicione ku ai ka nevojë. Luan rregulisht si titullar prej një viti me kombëtaren U17 dhe si rrjedhojë pritet që edhe sot ndaj Hollandës ta nisë nga minuta e parë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”