Tensionet e ndeshjes Vllaznia – Dinamo, kanë përfshirë edhe aktorin e njohur të humorit, shkodranin Besnik Çinarin. Çinari ka folur me gazetarin Maringlen Zhivani edhe për gjestin e Martinit të cilin nuk e cilëson aspak korrekt, por thekson se trajneri i Vllaznisë nuk gabon shpesh. Ndër të tjera, aktori shkodran ndalet tek deklaratat e Ilir Dajës, duke shprehur respektin që ka për të, por duke ia bërë të ditur, që Dinamo nuk e mëson kurrë Shkodrën se si luhet futbolli.

“Për mua ishte ndeshje e bukur, e fortë, mes dy ekipeve shumë të mira. Trajneri jonë, të cilin e dua shumë, Edi Martini në realitet ka gabuar, s’mund të them që s’ka gabuar. Ka gabuar pas një ndeshje të tensionuar, ku nervi i trajnerit… nerv kanë tifozët, jo më trajneri. Por përsëri gjesti nuk është i mirë. Po këta gazetarët që më habisin, nuk e dëgjojnë atë Rezart Dabullën? Djalosh i mirë, nga Lushnja… 1 vit ka luajtur në Shkodër, s’e ka pasur jetën në Shkodër, flet me këmbë në tokë.

Vllaznia pas kaq shumë vitesh po kryeson kampionatin kombëtar dhe janë çuar peshë më trajnerin. Edhe Ilir Dajës duhet t’i thuash, je trajner vetë, nesër gabon ti. Nuk duhet që trajneri të sulmojë trajnerin, as gazetari me sulmu, sidomos ai që drejton emisionin. Më vjen keq për Ilir Dajën, është shumë djalë i mirë, kam ngrënë një drekë me të në Prizren, e ka paguar ai, kjo është kryesorja. Unë i them Ilirit, më pak tension, jo të lartë ashtu si e ka ai. Nuk është rasti i parë që e ka bërë në Shkodër.

Edhe në raste të tjera e ka bërë në Shkodër, duke u sharë me tifozët. A është mirë që e shajnë? Nuk është mirë, por trajneri duhet të ketë qetësi. Kur s’ke qetësi ti, si duhet të kenë lojtarët. Ai Artan Hoxha, ai gazetari… Çfarë lidhje ka gazetari investigativ me futbollin, kush është ai që e fton. Është gazetar shumë i mirë në fushën e vet, ai ka të drejtë për atë që thotë. Çlidhje ka ai me futbollin? Janë çuar peshë. Por Vllaznia sot është ekipi më i mirë në Shqipëri, edhe këtë vit do dalë kampion.

Dinamo i mëson si luhet futbolli Vllaznisë? Vllaznia ka mësuar krejt Shqipërinë, jo më dajën, hallën e tezën. Ai ia ka fut krejt kot. Dinamon që është sot trajner ai, e kanë krijuar shkodranët dhe korçarët. Kush mund ta mësojë Shkodrën për të luajtur? Në Shkodër ka lindur futbolli, kush e mëson djepin? Iliri ka qenë trajner i Ballkanit, shumë djalë i mirë, por s’e përmban veten. Martini hera e parë që gabon”, është shprehur aktori Besnik Çinari.