✍️ Shkruar nga Gjergj KOLA
Nëse flasim për historinë e mundjes në Shkodër dhe në Shqipëri, një nga emrat që kurrsesi nuk mund të anashkalohet është ai i Sait Fishtës. Kampioni i padiskutueshëm i shumë viteve, fitues i sa e sa trofeve në peshat e rënda, është një emër që edhe sot e kësaj dite gëzon respekt të jashtëzakonshëm jo vetëm në radhët e komunitetit të mundjes, por edhe tek sportdashësit që janë mahnitur nga ndeshjet e tij në tapet.
Po ndalemi tek ky personazh sepse kjo ditë përkon me atë të 65 vjetorit të tij të lindjes dhe me këtë rast në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj, i urojmë këtij Mjeshtri edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Po cila është karriera e tij sportive?
Sait Fishta ka lindur më 18 nëntor 1960. Me sportin e mundjes lidhet në vitin 1976, kur fillon stërvitjen me ekipin e stilit klasik për të rinj, nën drejtimin e trajnerit Sul Rame. Ky i fundit pikas menjëherë një djalosh me trup të formuar dhe nis të merret seriozisht me të.
Në vitin 1978, merr pjesë në kampionatin kombëtar për të rinj që zhvillohet në Vlorë. Ai konkurron në peshën e nëntë, -87 kg, dhe zë vendin e parë duke u shpallur kampion kombëtar për këtë grupmoshë. Të njëjtin sukses e përsërit edhe në vitin 1979.
Në vitin 1980, nis shërbimin ushtarak dhe bëhet pjesë e Dinamos. Në Kupën e Republikës që zhvillohet në Durrës, konkurron në peshën -100 kg dhe zë vendin e parë, citon shkodrasport.com
Në vitin 1981, në finalet e Kupës së Republikës që zhvillohen në maj, konkurron sërish në -100 kg dhe zë vendin e parë duke përfaqësuar Dinamon. Ky ishte trofeu i tij i dytë radhazi. Po atë vit, në kampionatin kombëtar individual, shpallet kampion kombëtar, shkruan gazeta Shkodra Sport.
Në vitin 1982, rikthehet te Vllaznia dhe shpallet sërish kampion në kampionatin kombëtar individual të zhvilluar në nëntor në Durrës. Ai konkurroi në -100 kg.
Në vitin 1983, në finalet e Kupës së Republikës të zhvilluara në maj në Berat, duke përfaqësuar Vllazninë, zë vendin e dytë. Në kampionatin kombëtar të zhvilluar në nëntor në Vlorë, zë vend të parë dhe shpallet kampion në -100 kg.
Në vitin 1984, në finalet e Kupës së Republikës të zhvilluara në prill në Durrës, në peshën e dhjetë, +100 kg, zë vendin e parë. Në finalet e Spartakiadës së V Kombëtare, që u zhvilluan në tetor në Shkodër, fiton medaljen e artë. Po atë vit, në kampionatin kombëtar individual në Tiranë, shpallet sërish kampion në -100 kg.
Në vitin 1986, shpallet kampion kombëtar në -100 kg, në kampionatin e zhvilluar në dhjetor në Shkodër. Po në këtë vit, zë vendin e parë edhe në Kupën e Republikës të zhvilluar në prill në Elbasan.
Në vitin 1987, në kampionatin kombëtar individual të zhvilluar në nëntor në Tiranë, konkurron në -90 kg dhe shpallet kampion kombëtar. Ndërsa në finalet e Kupës së Shqipërisë të zhvilluara në mars në Tiranë, zë vendin e tretë.
Në vitin 1988, në kampionatin kombëtar individual të zhvilluar në dhjetor në Vlorë, fiton vendin e parë në -100 kg dhe shpallet kampion kombëtar.
Në vitin 1989, në finalet e Kupës së Republikës të zhvilluara në mars në Vlorë, fiton sërish në -100 kg. Po ashtu, fiton vendin e parë në kampionatin kombëtar individual të zhvilluar në shtator në Durrës. Po këtë vit, në Spartakiadën e VI Kombëtare, fiton medaljen e artë, raporton Gazeta “Shkodra Sport”.
Në vitin 1990, në kampionatin kombëtar të dhjetorit në Vlorë, fiton vendin e parë në -100 kg dhe shpallet kampion kombëtar.
Në vitin 1991, në kampionatin kombëtar individual, zë vendin e dytë, ndërsa në kampionatin e vitit 1993 zë vendin e tretë — dhe me këtë rezultat mbyllet edhe karriera e tij sportive.
KARRIERA SPORTIVE
Kampion kombëtar për të rritur me Dinamon — 2 herë
(1980, 1981)
Kampion kombëtar për të rritur me Vllazninë — 8 herë
(1982, 1983, 1984, 1986, 1987, 1988, 1989, 1990)
Fitues i Kupës së Republikës me Dinamon — 2 herë
(1980, 1981)
Fitues i Kupës së Republikës me Vllazninë — 6 herë
(1982, 1984, 1985, 1986, 1987, 1989)
SPARTAKIADA KOMBETARE
1984 — Medalje arti
1989 — Medalje arti
NDERIMET
Sait Fishta është nderuar me titujt:
“Mjeshtër Sporti”
“Mjeshtër i Merituar i Sportit”
Më pas, me rastin e 100-vjetorit të SK Vllaznia, është nderuar me “Mirënjohje” nga Bashkia Shkodër si “Sportisti i Shekullit” i SK Vllaznia.
Është dekoruar nga Federata Shqiptare e Mundjes me titullin:
“Nderi i mundjes shqiptare”
Gjithashtu është nderuar nga Presidenti i Republikës Ilir Meta me titullin:
“Mjeshtër i Madh”, për rezultatet e larta në sportin e mundjes.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







