✍️ Shkruar nga Endri ÇINARI
Pa Edi Martinin në stol, Vllaznia duket sikur nuk “di” të fitojë dhe marrë suksese. Trajneri i shkodranëve nuk ishte në stol në ndeshjen e fundit të barazuar 1-1 përballë Partizanit. Kjo për shkak të pezullimit nga displina për një gjest që u cilësua i ekzagjeruar në ndeshjen e javës së 11-të kundër Dinamos.
Dhe kjo ishte hera e dytë që 50-vjeçari mungoi në stol për kuqeblutë këtë sezon. Pasi ish-fantazisti nuk arriti t’a drejtonte skuadrën e tij as në duelin e javës së dytë kundër Dinamos, për shkak se ishte ndëshkuar me karton të kuq në javën e parë, në fitoren 2-0 të Vllaznisë kundër Egnatias.
Por, në të dy takimet ku Martini ka munguar, skuadra shkodrane nuk ka arritur të fitojë. Kjo duke nisur që nga faza e parë, ku në duelin ndaj Dinamos, shkodrani nuk ishte në pankinë dhe kuqeblutë u mposhtën me rezultatin 3-1. Po ashtu edhe në mungesën e dytë, atë ndaj Partizanit së fundmi, 9 herë kampionët e vendit nuk shkuan më larg se një barazim 1-1 pa Martinin në krye të stolit. Duke treguar se ekipi e vuan disi mungesën e timonierit të skuadrës, për vetë grintën dhe luftën sportive që transmeton tek futbollistët.
Patjetër tek Vllaznia duan ritkthimin e trajnerit kryesor sa më shpejt në krye të skuadrës dhe nuk dihet nëse komisioni disiplinor do e “falë” Martinin për ndeshjen e rradhës në kampionat kundë Teutës. Kjo për kundrejt pagesës së një gjobe nga ana e klubit shkodran, pasi tekniku i skuadrës është i pezulluar për dy ndeshje dhe nëse vendimi i parë i disiplinës nuk apelohet nga kuqeblutë, Martini nuk do jetë i pranishëm në stolin e skuadrës as në javën e 13-të kundër Teutës.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







