✍️ Shkruar nga Gjergj KOLA

Javën e ardhshme pikërisht më 4 dhjetor në ora 15:00 në stadiumin “Torquato Bresciani” të Viareggios do të luhet ndeshja finale e “Super Cup Viareggio” në mes ekipeve të të rinjve të Genoa-s dhe Vllaznisë. Genoa është fituese e turneut të sivjetëm të turneut të famshëm që organizohet prej 75 vitesh në Italia, ndërsa Vllaznia ishte fituese e të parit turne që u organizua gjatë këtij viti në Shqipëri pikërisht “Eeagle Cup Albania”.

Kjo është hera e parë që organizohet një finale Superkupe dhe padyshim që një meritë të jashtëzakonshme për këtë ka presidentja e Fondacionit “Albitsol” Vasenka Rangu Leka e cila është edhe organizatorja kryesore e “Eagle Cup Albania”.

Në një prononcim të dhënë për mediat, ajo është shprehur: “Vetëm pjesmarrja e ekipit të të rinjve të Vllaznisë në këtë finale është një arritje e madhe. Jam shumë e lumtur që kam kontribuar për t’i hapur rrugë futbollit të qytetit tim të lindjes në nivele të tilla sepse kujtojmë që “Viareggio Cup” është një nga turnetë më të rëndësishëm që zhvillohet në Botë për futbollin e moshave”.

Por nga ana tjetër, zj. Rangu ndër të tjera ka bërë të ditur se me stafin e saj dhe veçanërisht me krahun e saj të djathtë Matilda Matijën, kanë nisur përgatitjet për edicionin e dytë të “Eagle Cup Albania”. Ndonëse ende nuk janë përcakuar datat e zhvillimit të tij, kanë filluar interesimet nga vende të ndryshme të Botës për të marrë pjesë në të.

Vasenka Rangu Leka në fakt ka edhe një thirrje për pushtetin lokal në Shkodër në këto momente e për këtë është shprehur: “Për turneun e vitit 2026, ne kemi ftesa nga disa qytete të Shqipërisë për t’i organizuar atje ndeshje, por unë do të dëshiroja të kishim një ftesë edhe pushteti lokal i Shkodrës për të organizuar disa ndeshje edhe në qytetin tonë.

Si shkodrane që jam, kam shumë dëshirë ta sjellë këtë brand internacional edhe në qytetin tem, të sjellim ekipe të ndryshme aty dhe të krijojmë mundësi për të promovuar edhe më shumë turizmin sepse ky është edhe misioni jonë”.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”