24 orë para sfidës së rëndësishme në “Loro Boriçi”, Teuta po përgatitet për një nga ndeshjet më delikate të fazës. Atmosfera në kampin durrsak është pozitive, ndërsa skuadra kërkon të rikthehet me rezultat nga Shkodra. Kapiteni Blerim Kotobelli, një nga lojtarët më me përvojë të ekipit, në prononcim për “Panorama Sport”, ndan mendimet e tij për sfidën ndaj Vllaznisë dhe gjendjen e ekipit para duelit të së dielës.

Blerim, si është atmosfera në skuadër 24 orë para ndeshjes me Vllazninë?

Atmosfera është shumë pozitive. Jemi të motivuar, kemi punuar mirë gjatë javës dhe e dimë rëndësinë e këtij dueli. Shkojmë në Shkodër me qetësi dhe besim. Vllaznia është gjithmonë e fortë në “Loro Boriçi.

Si e vlerësoni kundërshtarin?

Vllaznia është një skuadër me traditë dhe me lojtarë cilësorë, sidomos në sulm. I respektojmë, por nuk frikësohemi. Do të mundohemi t’i imponojmë lojën tonë.

Çfarë duhet të bëjë Teuta ndryshe për të marrë rezultat pozitiv?

Duhet të jemi shumë të përqendruar në momentet kyçe, të shmangim gabimet individuale dhe të shfrytëzojmë rastet për gol. Efikasiteti do të jetë vendimtar.

Si ndiheni personalisht si kapiten para një sfide kaq të rëndësishme?

Është gjithmonë përgjegjësi dhe kënaqësi. Jam i përkushtuar maksimalisht që të udhëheq ekipin dhe t’i transmetoj qetësi dhe besim çdo shoku të skuadrës.

A keni një mesazh për tifozët durrsakë?

Faleminderit për mbështetjen që na japin në çdo ndeshje. I ftojmë të jenë pranë nesh edhe në Shkodër, sepse prania e tyre na jep forcë shtesë.

Si është gjendja fizike e skuadrës?

Jemi mirë në përgjithësi. Ka ndonjë lodhje normale të javës, por stafi mjekësor ka bërë punë të mirë. Të gjithë jemi gati të japim maksimumin.

A prisni një ndeshje të hapur apo më taktike?

Duke njohur stilin e të dy skuadrave, besoj se do të jetë një ndeshje taktike në fillim, por me ritëm të lartë. Kush gabon më pak, fiton.