✍️ Shkruar nga Gjergj KOLA
Sulmuesi shkodran Gabriel Kulla nuk ndalet së shënuari. E ka bërë një gjë të tillë edhe ditën e djeshme ndaj ekipit kryesues të kampionatit të Seria A Primavera (U20), Fiorentinës. Kjo e fundit ka qenë në udhëheqje të rezultatit deri në minutën e 95-të dhe pikërisht pak sekonda para vërshëllimës së arbitrit ka qenë 17 vjeçari që e ka dërguar topin në rrjetë duke barazuar gjithçka.
Kulla ashtu si dhe javën e kaluar e ka nisur edhe këtë ndeshje nga stoli, pikërisht në minutën e 63-të duke zëvendësuar futbollistin Amendola. Dhe po ashtu si dhe një javë më parë ndaj Genoas, edhe dje shënoi sërish një gol shumë të rëndësishëm për ekipin e Sassuolos duke bërë që gjithçka të mbyllej në shifrat e barabarta 1-1.
Lojtari i kombëtares shqiptare po spikat me performancën e tij në të parin kampionat Primavera (ka të drejtë të luajë edhe dy sezonet e ardhshme në këtë kampionat) dhe ecuria e tij ka qenë vërtetë për t’u admiruar teksa ka shënuar deri tani 5 gola dhe ka dhënë po aq asiste.
Goli i djeshëm ndaj Fiorentinës në minutat shtesë padyshim që e bën rolin e tij të rëndësishëm tek ekipi i Sassuolos dhe jo më kot drejtuesit e klubit i kanë sytë drejt tij.















