Vllaznia U17 e vajzave ka marrë një tjetër fitore në kampionat dhe si rrjedhojë vazhdon e sigurtë drejt objektivit të saj, shpalljes kampion sërish. Pasditen e sotme ajo ka luajtur në Kamëz ndaj Kinostudios dhe ka fituar me rezultatin 2-1.
Pjesa e parë pavarësisht rasteve të krijuara nuk ka prodhuar gola dhe si rrjedhojë ajo është mbyllur në shifrat e barabarta 0-0. Krejt ndryshe do të ishte pjessa e dytë ku vajzat kuqeblu kanë krijuar epërsi dhe si rrjedhojë kanë arritur të shënojnë dy gola njëri pas tjetrit në portën e ekipit vendas.
Protagonistja e të dy këtyre golave ka qenë e njëjta autore, pikërisht Ecrin Ileri që e ka dërguar dy herë topin në rrjetën e portës së Kinostudios në minutat 56 dhe 70. Për vendaset ndërkohë në minutat e fundit do të shënonte Kore, por asgjë më shumë dhe kësisoj Vllaznia U17 ka fituar me shifrat 2-1.
Me fitoren e sotme ekipi shkodran që drejtohet nga trajnerja Paula Jaku është ngjitur në kuotën e 25 pikëve dhe kryeson renditjen me pikë të barabarta me Partizanin. Këto dy skuadra do të ndeshen me njëra- tjetrën javën e ardhshmee në Shkodër dhe kjo do të jetë java e fundit e fazës së dytë të kampionatit.
Vllaznia U17 është e kualikuar në gjysmëfinalen e play-off, por mbetet për t’u parë nëse aty do të shkojë si kryesuese e grupit apo si vend i dytë. Pavarësisht këtij fakti, një gjë është e sigurtë: Objektivi i saj është fitimi i titullit kampion edhe këtë sezon.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


