Kanë nisur sot ndeshjet e para gjysmëfinale play off në basketboll për meshkuj. Besëlidhja dhe Tirana, që luanin në fushën e tyre, dolën fituese dhe udhëheqin 1-0 serinë e takimeve.
Kampionët në fuqi të Besëlidhjes, fituan 93-71 ndaj Apolonisë, ndeshje e luajtur në “Asllan Rusi”. Pas një periode të parë të ekuilibruar, lezhjanët u shkëputën në cerekun e dytë (51-32).
Kjo epërsi bën që gjysma e dytë e takimit të jetë një formalitet për Besëlidhjen, që fitoi 93-71. Edmons me 21 pikë ishte shënuesi më i mirë për lezhjanët, ndërsa 23 pikët e Campbell për fierakët mbetën për statistikë.
Në “Fahrie Hoti”, skuadra e Tiranës mundi me vështirësi 87-84 Vllazninë, në një ndeshje të dueluar deri në fund. Edhe pse bardheblutë u shkëputën 26-16 në periodën e parë, miqtë nga Shkodra nuk u dorëzuan.
Pas 30 minutash lojë, shifrat ishin 68-65 për Tiranën, që e mbrojti këtë epërsi deri në fund, falë një loje të mirë në mbrojtje. Massie me 30 pikë e 13 rebound ishte lider për bardheblutë, ndërsa për Vllazninë nuk mjaftuan 28 pikët e Shestani.
Superliga-Meshkuj, gjysmëfinale play off
Nd.1, Besëlidhja – Apolonia, 93-71 (1-0)
Nd.1, Tirana – Vllaznia, 87-84 (1-0)
29 prill, Apolonia – Besëlidhja, 18:00
29 prill, Vllaznia – Tirana, 18:00


