Shkruar nga Gjergj KOLA
Ditën e djeshme në Tiranë është zhvilluar kampionati kombëtar i mundjes për të rinj, ai i grupmoshës U20, në të cilin kanë marrë pjesë të gjithë ekipet e vendit me sportistët e tyre më të mirë. Vllaznia ka qenë njëri prej tyre që ka marrë pjesë në këtë kampionat, duke bërë një paraqitje shumë të mirë dhe në përfundim të tij ka zënë vendin e dytë duke u shpallur nënkampion i Shqipërisë për vitin 2026.
Paraqitjen më të mirë në të gjithë mundësit e Vllaznisë që morën pjesë në këtë kampionat e ka bërë Klevis Koçeku i cili ka zënë vendin e parë është kampion në peshën 79 kg. Ndërkohë katër mundës të tjerë kanë zënë vende të dyta duke u shpallur nënkampionë dhe pikërisht Fabian Dodani në peshën 61 kg, Eglis Mhillaj në peshën 70 kg, Jurgis Pepaj në peshën 86 kg dhe Kevin Kiri në peshën 97 kg.
Në podium është ngjitur edhe Eden Zhuri që në peshën 57 kg është renditur në vendin e tretë. Sakaq, ndonëse nuk janë ngjitur në podium, një paraqitje të mirë në këtë kampionat kanë bërë edhe dy mundësit e tjerë të Vllaznisë, Muhamet Tula që është renditur i katërti në peshën 74 kg dhe Enes Anza në peshën 92 kg.
Në këtë mënyrë mbyllet një tjetër aktivitet i suksesshëm për ekipin e Vllaznisë që nën drejtimin e trajnerit Altin Anza po bën një progres të jashtëzakonshëm nga gara në garë dhe me këtë ecuri shumë shpejt mund ta shohim në podium si kampion i vendit.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”



