Dita e djeshme ka qenë e veçantë për Klubin e Futbollit “BASANIA” i cili ka festuar 6 vjetorin e krijimit të tij. Data 15 qershor me siguri që do të mbesë gjatë në kujtesën e shumëkujt. Mbi të gjitha, për banorët e një zone shumë sportdashësve sepse ky emër riktheu gjallërinë, por edhe nostalgjinë për futbollin e së shkuarës.
Po si kanë qenë këto 6 vite për FC Basania? Të paktën për ne kanë qenë vite suksesi në aspektin sportiv sepse u krijua Akademia, u arrit kalimi i ekipit U15 në Kategorinë Superiore të kësaj grupmoshe, u krijuar ekipi i të rriturve i cili që në vitin e parë të tij u shpall kampion i kategorisë së tretë dhe siguroi ngjitjen një kategori më lart, ku për të tretin sezon me rradhë u paraqit me dinjitet.
Po ashtu, Akademia vijon konkurrimin e saj në kampionatet e moshave dhe nga viti në vit ka interes për shtimin e ekipeve. Jo vetëm kaq. Në Bushat me Basanian kanë punuar në këto 6 vite as më shumë dhe as më pak por edhe emra të tillë si Dervish Haxhiosmanoviç, Elvin Beqiri, Safet Osja, Gilman Lika etj dhe kjo padyshim që është një vlerë e shtuar për historinë e këtij klubi.
Nga ana tjetër, ndonëse me gjithë këto zhvillime, ndihma e pushtetit lokal ka qenë thuajse ZERO. Një “harresë” totale ndaj një ekipi që i dha të vetmen gjallëri në aspektin sportiv një Bashkie si ajo e Vau Dejësit. Ndihma e vetme ka qenë në fakt dhënia në përdorim e fushës sportive të Bushatit, fushë e cila në fakt ka qenë thjesht e papërshtatshme për asgjë, por falë investimit të presidentit Ermir Shimaj u kthye në një ambient festiv ku kanë luajtur edhe ekipe me emër të futbollit shqiptar.
Por ky 6 vjetor e gjen Basanian në një moment delikat. Presidenti i saj ka deklaruar se në rast se nuk ka ndërhyrje në terrenin sportiv të fushës ku luhen ndeshjet, nuk do të vazhdojë më financimin e skuadrës. Në fakt ka një marrëveshje prej gati një viti në mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Bashkisë Vau Dejës për shtrimin e tapetit sintetik, por gjërat nuk kanë shkuar më tej.
Fondet janë të miratuara, projekti është gati, por dikush dëshiron që kjo fushë të mos bëhet mesa duket. Telefoni i zyrtarëve të pushtetit lokal nuk hapet kur u telefonojnë nga Federata dhe si rrjedhojë gjërat kanë ngecur në vend. Padyshim që kjo është e pafalshme për disa pushtetarë që sot kanë diçka në dorë.
6 vjetori i krijimit të Klubit të Futbollit “Basania” duhet të shërbejë si një apel për të gjithë ata që kanë diçka në dorë, për ta ndihmuar sportin sepse ai është zhvillim dhe prandaj ta bëjnë ashtu si duhet detyrën e tyre.
Gëzuar përvjetorin e krijimit FC Basania!


