Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia është duke punuar për të përforcuar repartin e mbrojtjes dhe një nga emrat që ka dalë sërish në skenë është ai i mbrojtësit haitian François Dulysse. Burime të besueshme bëjnë me dije për “Shkodra Sport” se klubi kuqeblu ka nisur bisedimet me 27-vjeçarin, i cili ka qenë prej kohësh në radarët e drejtuesve shkodranë.
Interesimi për Dulysse nuk është i ri, pasi Vllaznia e kishte në listën e dëshirave edhe një vit më parë, por në atë periudhë lojtari preferoi të vazhdonte karrierën jashtë Shqipërisë. Tashmë situata ka ndryshuar dhe kontaktet mes palëve janë riaktivizuar, ndërsa po diskutohet mundësia e një marrëveshjeje.
Dulysse vjen pas një eksperience të suksesshme me Egnatian, ku fitoi trofe të rëndësishëm në futbollin shqiptar, ndërsa aktualisht është pjesë e Hapoel Hadera në Izrael.
Për momentin nuk ka ende një akord përfundimtar, por bisedimet vazhdojnë dhe mbetet për t’u parë nëse mbrojtësi haitian do të veshë fanellën kuqeblu në sezonin e ri.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


