Skuadra e Adës po bën gati planet për merkaton që tani dhe objektivat kryesorë të saj duket se janë drejtuar drejt Koplikut. Pikërisht tek skuadra e Veleçikut. Ndonëse trajneri i kësaj të fundit- Besnik Duli, dy ditë më parë në një intervistë për gazetën tonë “ia mbyllte derën” çdo largimi të mundshëm të futbollistëve nga kjo skuadër deri në fund të sezonit sepse secili prej tyre ka kontratë njëvjeçare, vështirë të ndodhë kështu.
Kjo ngaqë duket se 3-4 prej titullarëve të skuadrës koplikase kanë shfaqur dëshirën për t’iu bashkuar Adës dhe trajnerit Kreshnik Krepi. Pikërisht raportet me këtë të fundit mendohet se janë ato që do të bëjnë të mundur edhe lëvizjen e tyre. Ka qenë pikërisht ky trajner që i zgjodhi të gjithë futbollistët aktualë që ka Veleçiku me qëllim ndërtimin e një ekipi simpatik. Por gjërat kanë ndryshuar rrugës. Krepi u detyrua të largohej nga Veleçiku dhe tashmë që ai është tek Ada, kërkon të ndërtojë një skuadër sa më të fortë në mënyrë që të arrijë objektivin që ajo ka për të qëndruar në kategorinë e parë. Për këtë arsye, mund të marrë me vete disa nga “besnikët” e tij. Në fakt, ditën e djeshme ai është fotografuar në një nga lokalet e Shkodrës me tre prej futbollistëve aktualë të Veleçikut dhe pikërisht me Vahedin Pepën, Erbet Hotajn dhe Denis Lifjen. Nuk mund të themi me saktësi nëse ka qenë një kafe e rastësishme apo mund të ketë diçka tjetër pas saj. Trajneri Krepi i pyetur për atë foto të bërë me tre prej ish- sportistëve të tij, nuk ka dashur ta komentojë fare. Po ashtu as presidenti i Adës Alfred Pjetri ka thënë se është shumë herët të flitet për merkato që në mesin e nëntorit. Realiteti në fakt është ndryshe sepse çdo ditë e më tepër po flitet për këto lëvizje. Aq sa shqetësoi edhe drejtuesit e skuadrës së Veleçikut që nuk duan kurrsesi ta prishin përbërjen aktuale që ajo ka. Trajneri Duli është i kënaqur me atë kontigjent dhe njëkohësisht ka marrë garanci nga drejtuesit e klubit se nuk do largohet askush nga skuadra por a do ndodhë vërtetë kështu, kjo mbetet për t’u parë. Në kampin velipojak flasin ndryshe dhe sigurisht që diçka do lëvizë në merkaton e janarit.
© shkodrasport.com