Kategoria e Dytë luan ditën e sotme ndeshjet e javës së shtatë. Për sportdashësit velipojakë, vëmendja e tyre do të jetë e përqëndruar në kompleksin stërvitor të ekipeve kombëtare në Kamëz, aty ku ditën e sotme në orën 14:00, Ada luan ndaj Bulqizës vendase.

Velipojakët kanë një histori dhe traditë në vite si një ndër ekipet me peshë të Kategorisë së Parë dhe të Dytë, madje hera-herës duke qenë sfidues edhe ndaj emrave të mëdhenj të futbollit shqiptar, por së fundmi ata nuk po kalojnë një situatë fort pozitive në kampionatin e tyre. Momentalisht, Ada e Velipojës renditet në vendin e parafundit në tabelën e klasifikimit, me vetëm një pikë.

Megjithatë, pavarësisht kësaj gjendje të tillë, velipojakët do të synojnë fitore ose minimalisht një pikë ditën e sotme ndaj Bulqizës.

Trajneri i Adës, Altin Xhahysa, me një karrierë të gjatë si futbollist, i është rikthyer edhe njëherë futbollit të luajtur dhe ditën e sotme për nevoja të ekipit, ndoshta mund të jetë në fushën e lojës.

Bulqiza-Ada do të luhet ditën e sotme në kompleksin stërvitor të ekipeve kombëtare në Kamëz, duke nisur nga ora 14:00.
Maringlen ZHIVANI