Dorëheqja e Samuel Nikajt nga pankina e Adës është miratuar nga drejtuesit e klubit të cilët e kanë të arsyeshme të mos e mbajnë më atë në krye të pankinës së tyre. Lajmi për këtë është konfirmuar nga presidenti i këtij klubi Lazër Matia i cili për gazeten tone do të shprehej: “Me keqardhje sigurisht që vendosëm ta pranojmë dorëheqjen e trajnerit Nikaj i cili duhet pranuar se ka bërë një punë shumë të mirë në krye të kësaj skuadre. Mungesa e rezultateve e ka vënë edhe atë në një pozitë të vështirë por edhe ne si drejtues klubi sepse nuk e kishim menduar një nisje të tillë. Në këto kushte, menduam se është më e drejtë që ai të mos e vazhdojë më punën duke qenë se ndoshta u krijua një afrimitet më i madh sesa duhet me futbollistët ngaqë disa prej tyre kanë qenë futbollistë të tij edhe tek Akademia Vllaznia. Ndoshta kjo marëdhënie, ndikoi që futbollistët të mos japin atë çfarë duhet në fushën e lojës dhe prandaj si bord drejtues i klubit, ramë dakord që të kërkojmë një trajner tjetër se ndoshta ardhja e tij do t’i shkundë edhe më shumë futbollistët”. Gjërat janë të qarta. Mungesa e fatit, disa ndeshje të humbura si pasojë e moskonkludimit nga sulmuesit, e kanë penalizuar së tepër këtë skuadër.
Trajneri i ri: Samuel Nikaj nuk është më trajner i Adës.Pyetja që lind natyrisht që është ajo e zakonshmja: Kush do jetë në vend të tij? Emër konkret ende nuk ka por ka një pistë e cila është bërë prezent nga presidenti Matija që për gazetën tonë do shprehej: “Kemi studiuar shumë kandidatura por duke parë mënyrën si shkuan gjërat në këto ndeshjet e para, kemi menduar që zgjidhja më e mirë është marrja e një trajneri joshkodran i cili mund të sjellë ndonjë ndryshim për mirë tek skuadra. Me 90 për qind, trajneri i ri do jetë jo nga Shkodra megjithatë përfundimisht kjo do vendoset shumë shpejt”.
Gjergj KOLA