Afrim Bilali nuk është më trajner i kombëtares shqiptare të basketbollit. 43-vjeçari shkodran ka dhënë dorëheqjen, duke e njoftuar këtë gjë me anë të një postimi të bërë në rrjetet sociale. Një largim që vjen vetëm pak ditë para grumbullimit të Shqipërisë për ndeshjet kualifikuese të Kampionatin Europian 2025, me kuqezinjtë duhet të nisin përgatitjet më 10 korrik.

Trajneri bën të ditur se shkaku i dorëheqjes është mos plotësimi i kushteve të dakordësuara nga ana e federatës, por pa dhënë shumë detaje.

NJOFTIMI I TRAJNERIT – Ja postimi i plotë i trajnerit Bilali, ku njofton dorëheqjen nga përfaqësuesja kuqezi:

“Miq, për arsye të mosplotësimit të kushteve të dakortësuara më parë, jam i detyruar të jap dorëheqjen nga ekipi kombëtar. Ka qenë kënaqësi dhe privilegj të punoj me çdo kënd prej jush që ka qenë pjesë i këtij rrugëtimi me mua”, shkruan Bilali në postimin e tij në “Facebook”.

Pas njoftimit të trajnerit, “Panorama Sport” ka kontaktuar me Korab Llazanin, sekretarin e përgjithshëm të Federatës Shqiptare të FSHB, i cili shkurtimisht e ka komentuar kështu largimin e trajnerit:

“Dorëheqja e Bilalit është një vendim i marrë prej tij. Çdo vendim i ri do të behët me dije zyrtarisht shumë shpejt nga FSHB”. Kujtojmë se Bilali ishte në drejtim të Shqipërisë që prej vitit 2019. Tashmë FSHB pritet të komunikojë trajnerin e ri, i cili do të nisë menjëherë punën me ndeshjet para kualifikuese për Eurobasket 2025, takime që do të mbahen nga 19 korriku deri më 5 gusht. Shqipëria bën pjesë në Grupin I së bashku me Rumaninë dhe Sllovakinë.