Agustin Kola, një nga emrat më të shquar në vite në futbollin shqiptar, ka qenë një nga të ftuarit në “Sport News Plus” në “News 24” ku ka bërë analizën e tij për Superioren. Kola u ndal te situata e Partizanit, i cili sipas tij, vazhdon të jetë një skuadër pretendente për Europën.

“Nuk është turp të të mundë Laçi. Por për pjesën tjetër, po shohim që në Superiore nga vendi i fundit në vend të parë, po të shohësh, aty-aty janë ekipet. Shohim që ekipin e vendit të parë mund ta mundë ekipi i vendit të fundit.

Njëlloj si viti i kaluar. Kështu do shkoje dhe këtë vit, nuk shoh diferenca, me atë ritëm që kanë pasur skuadrat vjet janë. Edhe kjo periudhë ka ndikuar psikologjikisht.

Unë e shoh Partizanin në Kupat e Europës, nëse nuk shkon është një dështim.

Probleme nga merkato? Në asnjë klub këtu nuk e bën merkaton trajneri. Që këtu duket, nëse je trajner ti duhet të marrësh lojtarët, se trajneri di cilët ushtarë i duhen. Këtu në përgjithësi e bëjnë presidentët dhe të tjerët merkaton. Te Partizani e ka bërë trajneri? Kur janë aty nuk flasin, kur ikin thonë e bëri ai tjetri, prandaj shkojnë gjërat kështu”, tha Kola.

Ndërkaq, ai foli edhe për situatën e Vllaznisë, si dhe për zërat që përflitnin për një marrëveshje mes Tiranës dhe Dinamos.

“Vllaznia po luan më mirë këtë vit se mbrojtja më e mirë është sulmi, në pjesën mbrapa i duhet një qendërmbrojtës me eksperiencë. I mungon një lider në mbrojtje, një qendërmbrojtës se ato po ta shohësh luajnë futboll e janë më mirë se vjet me lojën. E shoh për titull, por kjo i mungon.

Marrëveshje Tirana-Dinamo? Kur thonë që shitet për lekë nuk është e vërtetë. Presidenti ynë, Rit Halili, e kam thënë gjithmonë, asnjëherë nuk ka shitur ndeshje për bixhoz. Se dëgjoj këto që flasin, këto duan që të sulmojnë Tiranën, po ajo ka një staf të mirë, trajnerin që nuk merret me fjalë po ul kokën e punon. Ne i kemi pasur gjithmonë këto ngacmime, kemi parë punën tonë dhe i kemi nxjerrë gjërat e mira me punën tonë. Ky është ngacmim që i bëhet Tiranës”, theksoi Kola.