Rivaliteti i viteve të fundit në kampionatin shqiptar rriti shpresën se ekipet e Superiores do të shkëlqenin në Europë. Por lufta në kampionatin tonë nuk do të thotë detyrimisht edhe rritje cilësore dhe kjo është kuptuar më së miri në këto vite me përfaqësimin e skuadrave shqiptare në Europë.

Në edicione që nisin gjithmonë me pretendime për pjesëmarrjen në grupe, dështimet e njëpasnjëshme kanë bërë që kampionati shqiptar të zbresë me radhë shkallët në renditjen e UEFA-s dhe të pozicionohet mes më të dobëtëve në kontinent.

Para ndeshjeve të kthimit të turit të dytë të Ligës së Konferencës, Superiorja gjendet në vendin e 48-të në 55 kampionate që ka UEFA. Një shifër alarmuese, për faktin e thjeshtë se mjafton rënia me 3 vende më poshtë, pranë të 51-it, që kampionati shqiptar të humbë një ekip në Europë. Dhe rreziku është shumë real.

RREGULLORJA – Kampionatet nga vendi i 51-të deri në vendin e 55-të, sipas rregulloreve të UEFA-s, përfaqësohen në Europë me vetëm 3 skuadra. Kampionia shkon në Ligën e Kampioneve, ndërsa fituesja e Kupës dhe nënkampionia shkojnë në Ligën e Konferencës.

Nëse bëhet realitet një gjë e tillë në këtë edicion, ajo hyn në fuqi dy edicione më vonë dhe do të thotë se që nga sezoni 2024- 2025, Shqipëria do të jetë me 3 skuadra në kompeticionet ndërkombëtare.

Pikët për renditjen nuk varen direkt nga kualifikimi dhe kalimi i tureve, por nga fitoret dhe humbjet e skuadrave në ndeshjet përkatëse që kanë koeficientet e tyre. Pikë të cilat më pas pjesëtohen për numrin e ekipeve pjesëmarrëse nga një kampionat i caktuar, për 5 sezonet e fundit të cilat mblidhen bashkë dhe krijojnë renditjen e përgjithshme.

SITUATA – Aktualisht, Shqipëria gjendet në vendin e 48-të dhe lë poshtë saj vetëm kampionatet e Uellsit, Gjibraltarit, Lihtenshtejnit, Maqedonisë së Veriut, Andorrës, Malit të Zi dhe San Marinos.

Shqipëria ka koeficientin 6,25, ndërsa vendi i 51-të, që duhet evituar me çdo kusht, pasi sjell heqjen e një skuadre, i përket aktualisht Lihtenshtejnit që ka koeficientin 5,5.

Vetëm rezultatet pozitive mund të evitojnë një katastrofë të mundshme, që do të bëhej edhe më e tmerrshme me rënien në vendin e 52-të.

Në atë skenar, kampionia e Shqipërisë do të fillonte aventurën europiane me praninë në turin paraeliminator, shkatërrimtar për planifikimin e një sezoni pasi praktikisht do të zhdukte pushimin pas përfundimit të kampionatit.

FINANCAT – Humbja e një vendi në Europë nënkupton në mënyrë direkte më pak të ardhura për futbollin shqiptar. Paratë nga UEFA, sipas raporteve të saj zyrtare, përbëjnë mbi 70% të të ardhurave që hyjnë në futbollin shqiptar dhe Kupat e Europës janë burimi kryesor.

Me një skuadër më pak, sigurisht që edhe të ardhurat do të binin ndjeshëm e si rrjedhojë shpenzimet për përmirësimin cilësor. Kësaj i shtohet edhe dëmi i zbehjes së imazhit e shikueshmërisë së ekipeve të kampionatit shqiptar me një ekip më pak që mund të nxjerrë në vitrinën europiane talentet.

Renditja në vendet e ulëta në UEFA, i heq mundësinë edhe skuadrave kampione U-19 që të marrin pjesë në UEFA Youth League, pasi pjesëmarrja aty është e kufizuar dhe duhet të renditesh shumë më lart që të kesh shansin të sigurosh pjesëmarrjen.

Kështu, për Tiranën, Vllazninë dhe Laçin që luajnë sot ndeshjet e kthimit në Europë, sfida që kanë përpara nuk i përket vetëm këtij edicioni, por edhe mbrojtjes të së paktën së pozicionit aktual të kampionatit shqiptar.

Edhe pse përsëri do të mbetet mes më të dobëtëve në kontinent. Përndryshe, pasojat mund të jenë fatale për futbollin e klubeve në vendin tonë.