Ka ardhur momenti që të thuhet e pranohet që Alban Xhaferi është presidenti i ri i Vllaznisë, madje edhe pronari i saj. Pas përgjigjes që ka mbërritur në Bashkinë Shkodër nga Komisioni i Prokurimit Publik, i bie që ankandi i shitjes së Vllaznisë të formalizohet dhe të bëhet kalimi nga pronë shtet tek investitori privat.

Pra, te Vllaznia po merr fund një problem i madh që mban peng klubin prej kohësh, privatizimi i klubit të futbollit dhe zgjedhjes së presidentit. Aktualisht në krye të klubit qëndron Alban Xhaferi, i cili mban rolin e sponsorit kryesor dhe është në krye të klubit, por shumë shpejt kjo gjë mund të bëhet zyrtare.

Gjatë ditës së djeshme, klubi shkodran ka marrë një letër zyrtare nga Komisioni i Prokurimit Publik, që ka lënë në fuqi vendimin e autoritetit shitës, Bashkia Shkodër, për procesin e ankandit dhe duke certifikuar të gjitha etapa e ndjekura deri tani në ankandin e KF Vllaznia sh.a.

Një lajm mjaft i mirë ky për klubin shkodran që do të ketë një pronar në krye të saj duke marrë fund dhe problemet e shumta burokratike me Bashkinë Shkodër, së cilës tani i hapet drita jeshile për të vijuar me fazën e fundit të ankandit, që ka të bëjë me kalimin te privati, kur dihet se nga ankandi Alban Xhaferi ka rezultuar fitues me ofertën 625 mijë euro.

REAGIMI I BASHKISË – Privatizimi i Vllaznisë është drejt përfundimit dhe Bashkia Shkodër ndihet e entuziazmuar pas përgjigjes që ka mbërritur dje nga KPP. Sipas qeverisë vendore, që në ditën e parë të shpalljes së ankandit deri në vlerësimin e ofertave dhe dokumentacioneve, ka qenë një proces ligjor, transparent dhe në komunikim me publikun. Janë respektuar me rigorozitet ligjet dhe aktet e tjera ligjore që rregullojnë procedurat e ankandit në Shqipëri.

Privatizimi i futbollit shkodran po shkon drejt përmbylljes, duke shënuar privatizimin e parë në Shqipëri për një klub futbolli në pronësi të bashkive. Pas përgjigjes së marrë, Bashkia e Shkodrës ka dalë edhe me një mesazh falënderues, ku në të shkruhet: “Jemi krenarë që Vllaznia jonë është përsëri e para edhe në ketë procedurë. Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit që kanë treguar interes për një emër të madh siç është Vllaznia jonë.

Klubi kuqeblu përgatitet të nisë një fazë të re të aktivitetit, duke u administruar ashtu si të gjitha klubet e tjera të suksesshme në vend e botë. Siç kemi konfirmuar edhe më herët, si një emblemë identifikuese e Shkodrës, shkodranëve e mijëra tifozëve, Bashkia Shkodër do të vazhdojë të kontribuojë për Vllazninë e futbollit, si dhe për të gjitha sportet. Një falënderim për tifozët e mrekullueshëm kuqeblu, të të gjitha kohërave, kudo ku ndodhen. Mbështetja e tyre edhe gjatë procesit të ankandit, është një vlerë e shtuar dhe e qëndrueshme për Vllazninë dhe sukseset e saj”.

ZYRTARIZIMI – Procesi i shtijës u vonua për shka edhe të ankesave që patën disa ofertues, ku biznesmeni Almiro Gurakuqi, ishte ai që kërkoi që procesi i shitjes të anulohej, pasi kompania që ai përfaqësonte ishte skualifikuar me po të drejtë. Por, me përgjigjen e djeshme të KPP-së dhe reagimin e Bashkisë Shkodër, duket se tani procesi i privatizimit të klubit të futbollit Vllaznia sh.a po shkon drejt fundit.

Sponsori aktual i Vllaznisë, Alban Xhaferi, deri tani është i vetmi që ka i ka kaluar etapat e ankandit dhe me një vlerë të deklaruar prej 625 mijë eurosh do të jetë edhe pronari i ri i Vllaznisë. Tani me sa duket se privatizimi dhe kalimi i Vllaznisë në duart e privatit është vetëm çështje ditësh.