Nëse flasim për sportin e mundjes klasike në Shkodër dhe Shqipëri sigurisht që emri i cili nuk mund të anashkalosh kurrsesi është ai i Eljaz Gurit. Një embleme të këtij sporti.

Po ndalemi sot te ky personazh ngaqë ka edhe ditëlindjen. Feston 75 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast, ne emer edhe te redaksise se gazetes “Shkodra Sport” dhe gjithe lexuesve te saj i urojme këtij kampioni edhe 100 vite të tjera te lumtura!

Eljaz Guri ka lindur në Shtoj të Vjetër të Shkodrës më 9 shkurt 1948 dhe në fëmijërinë e tij fillimisht merret me sportin e atletikës, duke u fokusuar tek dhjetëgarëshi por me këtë sport nuk do të merrej më shumë se një vit. Kjo sepse pas përfundimit të stërvitjes, ai shkonte tek palestra e mundjes për të pritur shokët e tij mundës si Dushan Vaso, Naim Pepa, Halil Gëlqerja etj dhe aty u pikas nga trajneri Sul Rama që e bind për t’u rregjistuar edhe ai në këtë sport.

Ka qenë viti 1965 kur fillon stërvitjen me ekipin e të rinjve të Vllaznisë. Trajneri Rama sheh tek ai një trup me një konstrukt shumë të bukur që premtonte se shumë shpejt do të bëhej një kampion I madh në peshat e rënda.

Në vitin 1968 është pjesë e ekipit të Partizanit dhe shumë shpejt bëhet edhe titullar I këtij ekipi që në rradhët e tij kishte shumë mundës të njohur.

Në vitin 1969 fiton Kupën e Republikës duke konkurruar në rradhët e ekipit të Partizanit. Po këtë vit, në finalet e Spartakiadës II Kombëtare që u zhvilluan në datat 24 gusht- 4 shtator në Tiranë, ai konkurroi në peshën e nëntë, atë deir 97 kg dhe zuri vendin e parë duke merituar medaljen e artë.

Në vitin 1970, në garat e kampionatit kombëtar individual u shpall për herë të parë kampion kombëtar në peshën e tij.

Në vitin 1971 në takimin ndërkombëtar Vllaznia- Rumania B, fiton me tuç me mundësin rumun Manco Dimitris.Po këtë vit, në finalet e Kupës së Republikës që u zhvilluan në Tiranë në datat 1-3 prill, duke konkurruar për ekipin e Vllaznisë në peshën e nëntë ai zë vendin e parë.

Në vitin 1973, në garat e finaleve të Kupës së Republikës që u zhvilluan gjatë muajit maj, zuri vendin e parë duke konkurruar në peshën e 9-të, atë deri 100 kg.

Në vitin 1973 mori pjesë në Kampionatin Europian që u zhvillua në Finlandë në datat 1-3 qershor kaloi tre ture dhe u rendit I 6-ti në Europë. Një rezultat shumë I lartë që nuk u arrit për vite e vite me rradhë nga mundësit shqiptarë.

Po këtë vit, në garat e kampionatit kombëtar individual, Eljaz Guri konkurroi në peshën e 8-të ku zuri vendin e parë dhe u shpall kampion kombëtar.

Në vitin 1974, në finalet e Kupës së Republikës që u zhvilluan në datat 13-15 maj në Tiranë, në peshën e 7-të, ai zuri vendin e parë.

Ndërkohë në garat e kampionatit kombëtar individual që u zhvilluan në datat 9-12 korrik në Tiranë, konkurron në peshën e tetë dhe shpallet kampion kombëtar.

Në garat e Spartakiadës III-të Kombëtare që u zhvilluan në datat 2-4 tetor 1974 në Tiranë, konkurron në peshën e tetë dhe zë vend të dytë duke merituar medaljen e argjendtë.

Në vitin 1975 , në finalet e kampionatit kombëtar që u zhvilluan në datat 15-17 tetor në Shkodër zuri vend të parë në peshën e nëntë.

Në vitin 1976, në Kupën e Republikës garat e së cilës u zhvilluan më 3-5 maj në Durrës, konkurroi në peshën e dhjetë dhe zuri vend të dytë.

Në vitin 1978, në garat e Kupës së Republikës që u zhvilluan në datat 28-30 shtator në Korçë, zuri vend të parë. Ndërkohë në garat e kampionatit kombëtar individual në datat 8-10 nëntor, në peshën e nëntë, atë deri 100 kg, Eljaz Guri u shpall kampion për herë të pestë.

Në vitin 1979, në finalet e Spartakiadës së IV-të Kombëtare që u zhvilluan në datat 9-12 tetor, mundësi shkodran duke konkurruar në peshën e dhjetë, atë +100 kg, Eljaz Guri zuri vend të tretë dhe meritoi medaljen e bronztë.

Pas lënies së sportit, Eljaz Guri për një vit pikërisht më 1987 ka drejtuar ekipin e të rinjve të Vllaznisë në mundjen klasike.

Eljaz Guri për këto arritje është nderuar me titullin “Mjeshtër Sport”, “Mjeshtër i Merituar Sporti” e shumë e shumë çmime të tjera. Ka marrë titullin “Mjeshtër I Madh” nga Presidenti I Republikës” dhe është vlerësuar si “mundës I shekullit” për SK Vllaznia në kuadrin e festimeve të 100 vjetorit të tij nga Bashkia Shkodër dhe SK Vllaznia.
Bajram AGOVI
Gjergj KOLA

Karriera e Eljaz Gurit me Vllazninë:

– 5 tituj kampion kombëtar (1971, 1973, 1974, 1975, 1978

– 5 Kupa të Republikës (1970, 1971, 1973, 1974, 1978)

– 1 medalje ari në Spartakiadën II-të Kombëtare në vitin 1969 (me Partizanin)

– 1 medalje argjendi në Spartakiadën III-të Kombëtare në vitin 1974

– 1 medalje bronzi në Spartakiadën IV-të Kombëtare në vitin 1979