Kampionati i Kategorisë së Dytë do të fillojë në fillimin e muajit të ardhshëm dhe skuadrat do të nisin me përgatitjet për sezonin e ri shumë shpejt dhe natyrisht që po shohin edhe mundësitë për të emëruar trajnerët për sezonin e ri.

Kështu po vepron edhe Ada, e cila ka të nevojshme fillimisht të ketë një trajner cilësor në krye të ekipit. Kjo ka qenë edhe arsyeja që presidenti Alfred Pjetri po tenton të vendosë në krye të skuadrës një emër shumë të njohur në futbollin shkodran dhe atë shqiptar, Altin Xhahysën.

Ky i fundit ka disa muaj që është larguar nga drejtimi i ekipit të Murlanit dhe tashmë për rrjedhojë, Xhahysa po shikon për mundësi të tjera drejtimi. Burime të “Shkodra Sport” kanë pohuar se, presidenti Pjetri dëshiron ta ketë në krye të skuadrës Xhahysën për të përfituar edhe nga eksperienca e tij dhe i ka bërë një ofertë atij për të qenë trajneri i ri i Adës.

Nga ana e tij, akoma nuk ka një përgjigje konkrete, teksa do të bisedohet ende nëse do e pranojë apo jo. Megjithatë në ditët e ardhshme ka mundësi që ai të kthejë një përgjigje pozitive. Ky do të ishte një lajm i mirë për Adën, me Altin Xhahysën që mund të mbesë sërish në Kategorinë e Dytë edhe pas largimit nga Murlani.
Maringlen ZHIVANI