Altin Xhahysa një nga trajnerët e futbollit në Shkodër së fundmi ka folur për fitoren e Vllaznisë kundër Tiranës. Ish-kampioni me fanellën kuqeblu theksoi se në këto momente të rëndësishme janë pikët, pavarësisht se për ish-sulmuesin skuadra po luan një futboll cilësor. Por gjithashtu sipas fjalëve të tij çdo ekip mund të gjykohet për ecurinë pas 5-6 javëve të para të Superligës.

Xhahysa tha: “Një fitore në kryeqytet dhe për më tepër kundër Tiranës është gjithmonë kënaqësi. Jo vetëm për 3 pikët, por edhe një sukses moral që mund të shërbejë në ndeshjet e rradhës. Them se skuadra po zhvillon një futboll cilësor në mendimin tim. Mirel Josa duket sikur ka korgjuar diçka nga e shkuara e Vllaznisë.

Skuadra nuk sulmon më me gjithë forcat, por është më racionale dhe më e kujdesshme. Dhe besoj se kjo është diçka pozitive sepse në një kampionat si i yni duhet të jesh sa më cinik dhe konkret. Josa e di mirë këtë dhe po e aplikon, duke qenë se është edhe vetë një stil i tiji, që i ka garantuar shumë suksese në të shkuarën.

Besoj se skuadra është në rrugën e duhur, por duhet gjykuar më saktë pas 5-6 javëve të para. Kjo pasi të shihet edhe përshtatja e lojtarëve që kanë ardhur rishtazi në ekip.

Largimi im nga Murlani ? Ishte një eksperiencë shumë pozitive dhe e suksesshme. Për dy vite arritëm nga një skuadër e sapo formuar të pretendojmë ngjitjen në Kategorinë e Parë. Mund të them se edhe për mua ishte një eksperiencë e vlefshme si trajner. Ju uroj suksese të gjithëve aty në projektet e reja që kanë”.

Endri ÇINARI