Shkëlqim Muça, i pranishëm në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH, ka analizuar javën e 22-të të “Abissnet Superiore”.

Laçin e dëmtoi euforia – “Gabimet në futboll ndodhin, janë pjesë e tij. Por e ndjeva që përpara se si do shkonte, ndjeva një eufori nga ana e Laçit, kishin shumë besim. Nuk i kishte marrë masat mirë, u godit psikologjikisht.

Janë ca skuadra që vijnë në Tiranë, luajnë me Tiranën dhe nuk e kuptojnë se mund të pësojnë gol. Ekipi duhet të ketë një qëndrim në fushë edhe kur pëson. Të pësosh katër gola në pjesën e parë do të thotë se nuk je një ekip i pjekur. Ishin gabimet ato që e goditën skuadrën dhe e shpërqëndruan”.

Ndeshje pa emocion – “Ishte një lojë e barabartë. Mund të kishte fituar njëra, ashtu si dhe tjetra. E vështirë të shikoje këtë ndeshje me emocion në një stadium tërësisht bosh. Edhe si nivel nuk u ngrit asnjëherë mbi mesataren, gjithmonë mesatar dhe nënmesatar. Te Kukësi, niveli i sulmuesve është nën mesataren, përjashto Shkurtajn”.

Derbi –“ Nuk mund të luhet derbi jashtë Tiranës, nuk shkon fare kjo punë, nuk ka justifikim. Si nivel, Partizani ishte më i organizuar, Dinamo pak më heterogjene, nuk është akoma një skuadër e lidhur mirë, ka mangësi. Në aspektin sulmues kishte mangësi, mungoi shpejtësia. Në 25 metrat e fundit kishte shumë veprime të lexuara, nuk kishte befasi. Dinamo ka akoma shumë punë për të bërë”.

Vllaznia humbi dy pikë – “Ishte një ndeshje mes dy skuadrave me ide të qarta. Skënderbeu ishte më kërkues, por me kalimin e kohës Vllaznia fitoi terren. Por aty ku mendoi se e fitoi ndeshjen, aty e pësoi. Nuk e mendoja se Vllaznia nuk do merte fitoren. Unë mendoj se Vllaznia humbi dy pikë në këtë sfidë”.