Me fitoren e arritur pasditen e sotme ndaj Kinostudios, ekipi “Juban Danja” ka siguruar të drejtën për të luajtur në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në kompleksin sportiv “Zmijani”, vajzat e drejtuara nga trajneri Legata kanë fituar me rezultatin 4-1.
Në fakt nuk ka qenë një fitore krejt e lehtë për t’u arritur. Në pjesën e parë loja ka qenë thuajse e barabartë dhe për rrjedhojë ajo është mbyllur me shifra të paprekura 0-0.
Në të dytën ndërkohë në skenë do të dilte futbollistja Anela Vishkulli e cila me golin e saj në minutën e 55-të do të zhbllokonte shifrat. U mendua se pas këtij goli, “Juban Danja” do ta kishte të lehtë të administronte lojën por nuk do të ndodhte kështu.
Xhebrahimi në minutën e 79-të do të barazonte për ekipin e Kinostudios duke rihapur ndeshjen por vetëm për pak minuta. Kjo sepse Vishkulli sërish në minutën e 84-të dhe më pas Paula Jaku në të 85-tën do të shënonin dy gola njëri pas tjetrit duke vulosur fatin e këtij takimi. Goli i katërt i shënuar nga Muho në fund, ka shërbyer thjesht sa për statistikë dhe për të vulosur rezultatin përfundimtar 4-1 në favor të ekipit shkodran.
Në këtë mënyrë, “Juban Danja” ka fituar të drejtën për të qenë në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë së këtij sezoni ku do të ndeshet me ekipin e Vllaznisë. Padyshim që do të jetë e vështirë për të fituar ndaj saj, por do të bëjnë të pamundurën. Kujtojmë se ky ekip është dy herë fitues i Kupës së Shqipërisë në vitet 2012 dhe 2013.
www.shkodrasport.com