Anila Basha, anëtare e Komitetit Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit, foli në emisionin “SportZone” në MCN TV, foli për futbollin e vajzave në Shqipëri.

Sipas Bashës, në Shqipëri ka një masivizim sa i përket vajzave që fillojnë të luajnë me futboll, ndërsa shtoi se qëllimi është që deri në fund të katër viteve në FSHF, të ketë katë mijë vajza që luajnë futboll.

“Futbolli i vajzave është prioritet në strategjinë “Futbolli për kombin”, si shtylla e dytë në FSHF. Po punojmë me ekipet e Superligës, për ta sjellë në shina kampionatit. Vajzat të luajnë në stadiume si djemtë. Të krijohen kushte për to. Po punojmë edhe për masivizimin e futbollin të vajzave. Mendojmë që në fund të 4 viteve të shkojmë në 4 mijë futbolliste.

Ka qenë shumë e vështirë në Shqipëri, që fëmijët të orientohen drejt futbollit. Vajzat duhet të shkojnë të luajnë futboll, sepse jetojnë në një ambient social. Krijojnë rrjetin, që është shumë i rëndësishëm për të ardhmen. Harxhojnë energji shumë pozitive. Jo të gjitha bëhen futbolliste, pasi këtë e arrijnë ato që kanë talent dhe pasion.

Marrja me sport, i bën mirë jo vetëm shëndetin fizik, por edhe atij mendor. Ne shohim se tashmë ka filluar një masivizim, i futbollit të vajzave. E kemi parë këtë në disa qytete të vendit, ku skuadra të vajzave po luajnë ndaj njëra-tjetrës. Ka filluar një kompeticion shumë i mirë”- deklaroi Basha.