Artan Bushati është një figurë shkodrane shumë e njohur në rrethin futbollistik në Shqipëri. Ai u nda nga jeta para disa vitesh, pikërisht kur Bushati sapo mori iniciativën për të kandiduar si deputet i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim në qarkun e Shkodrës.

Artan Bushati lindi në Shkodër në 9 tetor të vitit 1963. Gjatë karrierës së tij si trajner futbolli, përveç skuadrës së Kombëtares U-21, ai ka drejtuar edhe skuadrën e qytetit të tij, Vllazninë. Bushati ka qenë edhe trajner i ekipit të Elbasanit, ekip të cilin e nxorri nënkampion të vendit.

Megjithatë, në fakt të gjithë e kujtojnë Artan Bushatin si trajneri i ekipit të Kombëtares U-21, të cilin e drejtoi për një periudhë prej gati pesë vitesh. Gjatë këtyre pesë viteve që Kombëtarja Shpresa drejtohej prej tij, ka arritur rezultate pozitive dhe ka nxjerrë një sërë futbollistësh, të cilët i kanë shërbyer edhe ekipit të Kombëtares së Shqipërisë.

Ndërkohë, te skuadra e Vllaznisë ai u rikthye në fillim të vitit 2012, kur në drejtim të klubit erdhi ish-presidenti Agron Çela. Bushati, me një skuadër me organikë të cunguar, arriti që të bënte një fazë të dytë të mirë me kuqeblutë, duke mos arritur dot Kupat e Europës, por gjithsesi duke mos rrezikuar mbijetesën.

Poashtu, gjatë karrierës së tij, Bushati ka të rregjistruar emrin edhe në drejtimin e Kombëtares së Shqipërisë, në njërën prej ndeshjeve më historike të vendit tonë, miqësoren me ekipin e Milanit.

Gjithë jetën e vet të shkurtër, Artan Bushati ia dedikoi futbollit, për të cilin u shkollua në arsimin e mesëm dhe u diplomua në Institutin e Lartë. Si një student i shquar, si një kuadër i përgatitur, si një trajner i talentuar, Bushati nuk reshti kualifikimin e tij në Shqipëri, UEFA apo edhe vende të tjera të kontinentit.

Ndërkohë, Bushati si figurë e nderuar e qytetit të Shkodrës, në zgjedhjet parlamentare të 2013, ka marrë pjesë si kandidat për deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, por pa arritur të marrë mandatin e deputetit, teksa më pas ai u nda nga jeta më 29-gusht 2013, në moshën 49-vjeçare. Padyshim që, një figurë si Artan Bushati është dhe do të jetë në memorien e çdo shkodrani. I paharruar kujtimi yt profesor Tan Bushati!
Maringlen ZHIVANI