Gazetari Pano Xhixho, në emisionin “Skaner” në MCN TV, u shpreh se titullin në Superiore e fiton skuadra që tregon më shumë karakter në pjesën e mbetur të sezonit.

Xhixho deklaroi se duket që kampionatin do e fitojë skuadra që bën më pak gabime, jo ajo që bën më shumë fitore.

“E kemi thënë shpesh që çdo ekip do ketë oshilacione. Skuadrat që kryesojnë, mund të humbasin me skuadrat e fundit. Nuk ka skuadër që të krijojë shkëputjen.

Këtë kampionat do e fitojë ajo skuadër që ka më shumë karakter. Do e fitojë skuadra që krizat i kalon me qetësi. Nëse do jenë skuadra që në kohë krize, bëjnë revolucion, nuk mendoj se do mbijetojnë. Ka skuadra që fitojnë edhe kur nuk luajnë mirë futboll. Mesa shikoj do e fitojë kampionatin skuadra që bën më pak gabime, jo ajo që bën më shumë fitore.

Janë shtuar alternativat te Vllaznia, Tirana dhe Partizani. Kjo ndodh te çdo ekip. Është e vështirë që skuadrat që kanë bërë blerje, t’i kenë në ritmin e atyre që larguan”- deklaroi Xhixha.