Për tre muaj nuk shkeli dot në fushën e gjelbër. E vetëm dy javë para ndeshjes u operua në gjurin e djathtë – por kur “detyra e thirri” ai u gjend në zemër të mbrojtjes.

Antonio Marku – e rrezikoi karrierën e tij si futbollist – me 27 maj të vitit 2017 duke mbrojtur ngjyrat e Vllazinsë – në një betejë “jetë a vdekje” kundër Tiranës.

Për Shqip.com, me nostalgji ai rrëfen këto momente që mbeten një tatuazh i pashlyer në karrierën e tij.

“Do të luanim kundër Tiranës – ishte ndeshje e vlefshme për të qëndruar ose rënë nga Superiorja. Në atë ndeshje situata ime shëndetësore dhe fizike ishte teorikisht e pamundur për të luajtur -sepse kisha 3 muaj pa bërë asnjë vrapim dhe kisha dy javë nga operacioni në gjurin e djathtë. Por, pavarësisht rrethanave dashuria për qytetin, ekipin, tifozët dhe shokët ishte më e forte se rreziku për karrierën time – apo ndoshta edhe rreziku për të ecur normalisht në jetën e përditshme”, kujtoi futbollisti shkodran. Por, Marku tha se ia vlejti barra qiranë.

“Emocionet, ankthi, përjetimi dhe lotët e atyre 90 minutave për çdo shkodran ishin më të mëdha se sa emocionet, ankthi, përjetimi dhe lotët – e ndonjë ndeshje për titullin kampion. Jam i lumtur që ajo ndeshje përfundoi me sukses dhe unë dhashë kontributin. Kur arbitri italian mbylli lojën, lotët e gëzimit ishin të pranishëm në sytë e çdo tifozi shkodran”, kujtoi Marku.

Pasi u “rikthye” në të kaluarën ai rrëfen edhe momentet më të bukura në karrierë. “Do të veçoja dy momente – ose më saktë dy periudha. Viti im i parë në elitën e futbollit shqiptar me ekipin e Dinamos – ku ani pse isha vetëm 20 vjeçar së bashku me portierin Orges Shehu u shpallëm futbollistët me minutazhin më të madh. Teksa edhe sezoni kur kam qenë kapiten i Vllaznisë së Shkodrës – ishte një ëndërr e bërë realitet – sepse shiriti i kapitenit të skuadrës së qytetit peshonte shumë”, tha ai me mburrje.

Marku – që nga viti 2019 është pjesë e futbollit të Kosovës – ku fillimisht ishte pjesë e Drenicës, kurse tash luan te Vëllaznimi – ku është edhe kapiten.

Edhe në Kosovë – ai po e shijon këtë sport në zenit.

“Të gjithë e dimë që Vëllaznimi i Gjakovës – ka qenë klubi i vetëm që ka pasur guximin të bartë ngjyrat kuq e zi në kohën e ish-Jugosllavisë dhe në kohën e okupimit.

E, ky fakt – krahas tjerave tregon për madhështinë dhe autoritetin e këtij ekipit. Prandaj të mbash shiritin e kësaj skuadre nuk është diçka e vogël. Për këtë gjë e falënderoj të gjithë atë që më kanë vlerësuar dhe përkrahur në detyrën dhe kontributin tim për ngjyrat kuq e zi. Ka qenë dhe është kënaqësi që jam pjesë e kësaj familje të madhe”, u shpreh ai.

TekSa, synon që së bashku me bashkëlojtarët të rikthejë lavdinë e këtij ekipi.

“Synimi im kryesor është të jap kontributin tim personal dhe maksimal në ringritjen e Vëllaznimit – në lavdinë dhe në vendin që i takon. Ato emocione që përjetoj duke pa videot dhe fotot se çfarë atmosfere e zjarrtë dhe plotë pasion krijohet nga tifozeria gjakovare në stadium dhe në gjithë qytetit e Gjakovës pikërisht këto emocione dëshiroj t’i përjetoj personalisht, ndërsa jam duke luajtur ne stadium”, potencoi Antonio.

Qendërmbrojtësi – për fund dha një krahasim ndërmjet futbollit Shqipërisë dhe Kosovës duke thënë se “ligji i sponzorimimit dhe investimi në futbollin kosovar – çdo vit e më shumë po jep frytet e veta. Por, mendoj që i vetmi ndryshim është se në Shqipëri punohet më shumë në aspektin taktik”.

Sa i përket Vëllaznimit, ky ekip gjendet në vendin e dytë të Ligës së Parë – Grupi A. Kuqezinjtë deri më tani kanë grumbulluar 25 pikë – vetëm nëntë më pak se Trepça 89 që është lidere. Synim mbetet Superliga – por rrugëtimi për të arritur atje – mbetet i gjatë. /Marrë nga Shqip.com/