Ardit Hoxhaj është kthyer te goli me penalltinë që realizoi në suksesin 4-0 ndaj Teutës. Një sukses që sipas tij erdhi në momentin e duhur në një skuadër, e cila ka pasur shumë oshilacione.

Ndërkohë, nga ana tjetër, Hoxhaj i ka “dërguar edhe një sms” trajnerit të Vllaznisë, Mirel Josa, për pozicionin e tij në fushë. Mesfushori vlonjat tha se ai është në vështirësi kur luan si qendërsulmues, teksa shtoi se ndihet mirë që u zhbllokua ndaj Teutës.

Poashtu, Hoxhaj u shpreh se ai personalisht është më mirë në krah si mesfushor, teksa theksoi se kur luan aty kap më mirë hapësirat e kundërshtarëve.

“Ndjehem mirë që kam arritur të shënoj gol. Fjala e trajnerit është ligj. Aty ku thotë trajneri Josa, unë do të jap maksimumin tim. Unë më mirë jam në krah se sulmoj zonën nga aty.

Vështirësia që kam ndjerë kohët e fundit është se kam luajtur në qendër dhe jam në qendër të vëmendjes së mbrojtësve dhe kam pasur markimin. Kur jam në krah, kap më mirë zonën e hapësirën.

Kjo ka qenë mendoj edhe arsyeja që kam qenë i markuar, e kam ndjerë veten në vështirësi kur kam luajtur në qendër”,-mbylli prononcimin e tij, mesfushori anësor i Vllaznisë, Ardit Hoxhaj.
Maringlen ZHIVANI