Ardit Krymi, mesfushori shkodran i cili po zhvillon sezonin më të mirë të tij, është i bindur se Vllaznia e këtij sezoni është pretendente për të qenë ekipi kampion.

Në një intervistë për “Panorama Sport” ai vlerëson gjendjen që është në skuadër para takimit me Partizanin. Sipas tij, pikët e lëna ndaj Kastriotit, nuk kanë ndikuar aspak në atmosferën në skuadër.

Ka ndikuar ndopak në aspektin psikologjik barazimi me Kastriotin?

Jo, nuk ka ndikuar aspak, pasi jemi në të njëjtin vend në renditje, dhe për më tepër me ato pikë diferencë që kishim. Edhe rezultatet e ekipeve kundërshtare na favorizuan, që të mos ndiejmë ato pikë të lëna ndaj Kastriotit.

Çfarë nuk shkoi te ju kundër Kastriotit dhe a i ka riparuar Vllaznia ato defekte që u vunë re në përballjen e fundit?

Besoj se u donte të ishim më të qetë, që ta zgjidhnim më shpejt ndeshjen. Ndoshta në këtë pjesë, duhet që të bëjmë më mirë në takimin ndaj Partizanit.

Të dielën, keni përballë Partizanin. Ka forcë Vllaznia të marrë më të mirën dhe ta kthej sërish situatën në favor të saj?

Kjo as që vihet në dyshim. Vllaznia i ka forcat që të kthehet te pikët maksimale. Besoj se do të bëjmë më të mirën të gjithë së bashku, që të kthehemi me një rezultat pozitiv nga kjo sfidë.

Ndaj Partizanit, do t’ju kënaqte edhe një pikë apo do të kërkoni pikët maksimale?

Si në çdo takim tjetër, edhe në këtë takim do të hyjmë në fushën e lojës vetëm për tri pikë. Unë kam besim që do japim maksimumin në këtë përballje dhe natyrshëm, do të marrim edhe tri pikët.

Mendoni se Vllaznia e këtij sezoni është për titull?

Mendoj se me ndeshjet që kemi zhvilluar, kemi treguar se kemi forca që të bëjmë edhe më shumë si ekip. Megjithatë, janë edhe dy faza të tjera dhe duhet të jena të përqendruar në maksimum takim pas takimi, që të shkojmë aty ku ne të gjithë tani e dëshirojmë. Por, ne po luajmë pa e pasur shumë mendjen te titulli, por vetëm te takimi i radhës.