Mbrëmjen e sotme është mbyllur kampionati kombëtar i boksit për të rritur. Përveç triumfit të Vllaznisë si ekip që u kurorëzua me titullin e 22-të kampion, ka patur edhe suksese të tjera për pjestarët e ekipit shkodran.

Kështu, Arjon Kajoshi përveçse është shpallur kampion në peshën 75 kg, ka marrë edhe kupën e boksierit më të mirë të kampionatit. Një sukses i merituar sepse në të tre ditët e këtij kampionati, ai ka treguar një nivel të lartë boksimi.

Ka fituar ditën e parë ndaj Istrefit të Kukësit, në të dytën ndaj Sulës së Tiranës, ndërsa sot në finale ka mundur boksierin e Teutës Daniel Marku. Ky i fundit që në raundin e parë ka kaluar një gjendje nokauti dhe arbitri i ringut ka vendosur ndërprerjen e ndeshjes.

Pikërisht nga këto ballafaqime është bazuar edhe gjyqtaria që ka vendosur t’i japë atij kupën e boksierit më të mirë.

Sigurisht që e meriton. Kemi të bëjmë me një sportist i cili po tregon personalitet dhe të mos harrojmë që vetëm pak ditë më parë ka mbushur 21 vjeç.
© shkodrasport.com