Trajneri i Laçit Armando Cungu kritikoi ekipin për rastet e shpërdoruara gjatë fitores me Luftëtarin 3-1.
Për “Supersport”, tekniku i skuadrës kurbinase foli rreth llogarive për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Europës. Për Cungun trajneri dhe skuadra duhet të shikojnë punët e veta.

“Ndeshja – Ashtu siç shkoi loja me Flamurtarin me shumë raste të shpërdoruara, bëhet shumë e vështirë për objektivat e klubit. Sot kundërshtari nuk ishte në lartësinë e Flamurtarit. U dhashë mudnësinë disa djemve të rinj. Kemi shpërdoruar shumë.

Lojtarët e rinj – Kam thënë dhe herë të tjera, kanë cilësi, u japim hapësira. Duhet të punojnë shumë të bëhen profesionistë për të mbajtur mbi shpatulla objektivat. Jam i kënaqur me stoperin Marku. Ishte shumë korrekt gjatë vendosjes dhe lojës.

Llogaritë për të realizuar objektivin – Të jem i sinqertë, ne shikojmë punën tonë. Nuk duhet të varet trajneri nga rezultatet e kundërshtarëve. Duhet të shikojmë ndeshjen e radhës me kundërshtarin. Kemi Bylisin, një kundërshtar që ka bërë kampionat të mirë. Nuk është në interesin tonë.

Shumë e vështirë të bëjmë llogaritë. Nuk më pëlqen të bëj llogari. Jemi 6 pikë larg Partizanit janë dhe 3 ndeshje. Duhet të kemi kujdes dhe të jemi të përqëndruar.

Nuk duhet të ngutem kush është në ‘pole position’ e kush jo. Janë djem të rinj. U kemi dhënë mundësi aty ku kanë patur. Nuk gabojnë vetëm të rinjtë. Nuk mund të them sot se cili është i gatshëm për të veshur fanelën e Laçit.

Prenga – E kemi provuar disa herë si qendërsulmues, por është lotjar që luan në dy krahët e sulmit. Ka nevojë për t’u rritur”, deklaroi trajneri i Laçit Armando Cungu.