Mbrojtësi i ekipit tonë “Shpresa”, Arsen Sykaj, ditët e fundit ka marrë sinjalizime nga ekipi i Tiranës dhe i Laçit. Ky i fundit i ka bërë gati dhe një kontratë, që mund të firmoste menjëherë, duke qenë mjaft e mirë për mbrojtësin shkodran. Madje ditën e enjte kur zhvillohej ndeshja miqësore Vllaznia- Prishtina, në tribunën e stadiumit “Loro Boriçi” ka qenë i pranishëm edhe drejtori sportiv i Laçit Ylber Zani.

Ai kishte ardhur për të vëzhguar situatën dhe nëse Sykaj nuk do nisej drejt Ulqinit me Vllazninë, të nxitonte t’i mbushte mendjen për të shkuar tek Laçi. Ndërsa klubi kryeqytetas, ka shfaqur interes për të, por pa nisur direkt bisedimet me lojtarin e Vllaznisë.Gjithsesi për momentin, lojtari i cili duket se po kalon një situatë të pakëndshme tek Vllaznia, është vënë në epiqendër të skuadrave të Superiores, ku nuk është çudi, që deri ditën e fundit të merkatos, një lëvizje e tillë të realizohet. Kjo lidhet edhe me faktin, se pavarsisht garancisë së marrë nga krerët më të lartë të klubt shkodran, Sykaj, se nuk do të largohet nga Vllaznia, ai nuk ndihet më i sigurtë në punën e tij dhe është i vetëdijshëm se personi i parë, që do t’i tregohet stoli, në çdo rrethanë, është ai. Megjithatë, t’ia lëmë ditëve në vazhdim për të se si do të shkojë kjo çështje, që nuk është e vetmja e këtij lloji ( pra si e Arsen Sykajt), për momentin tek Vllaznia.

www.shkodrasport.com