Ndeshja e sotme mes Osijek dhe Lokomotiva Zagreb, ka parë mesfushorin e përfaqësueses shqiptare, Enis Çokaj, si protagonist të këtij dueli, në të mirë e në të keq.

Mesfushori koplikas i përfaqësueses shqiptare, një lider absolut në skuadrën e tij, e nisi ndeshjen ndaj kryesuesve të kampionatit kroat me një asist për Kulenoviç në minutën e 9 të ndeshjes, me Lokomotiv që kaloi në avantazh.

Por më pas Osijek ktheu rrjedhën e sfidës dhe shënoi golin e barazimit me Nejasmiç. Kartoni i kuq i Ibrahim i dha një ndihmë më shumë ekipit vendas dhe sulmuesi i Kosovës, Mirlind Daku, ishte ai i cili shënoi golin e rezultatit 2-1.

Ndeshja u tensionua edhe më shumë dhe në shtesën e sfidës, Çokaj u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la skuadrën e tij me 9 lojtarë, ndërsa Lokomotiva pësoi edhe golin e tretë para vërshëllimës përfundimtare duke humbur këtë ndeshje.