Pasditen e sotme ka përfunduar në Elbasan kampionati kombëtar i atletikës për të rritur i cili ka kurorëzuar Vllazninë për meshkuj sërish kampione të vendit.

Titull që është i dhjeti për të, çka do të thotë se atletët shkodranë prej një dekade janë në podium.

Pas suksesit në garat e djeshme, edhe ato të sotmet kanë shkuar në mënyrën e duhur.

Në garën e 110 metrave me pengesa kampion i Shqipërisë është shpallur atleti i Vllaznisë Ravio Rama.

Në garën e 200 metrave, Franko Burraj ka zënë vendin e parë me një rezultat shumë të mirë 21″69.

Sërish shumë pranë rekordit, vetëm 10 të qindtat pa thyer rekordin e mbajtur nga shkodrani Oltion Luli.

Ndërkohë në garën e kërcimit së gjati, Izmir Smajlaj ka zënë vendin e parë dhe është shpallur kampion.

Tek femra ka spikatur sërish Erisa Rrasa e cila pas titullit kampion dje në garën e kërcimit trehapësh, sot është renditur e treta në kërcim së gjati.

Jo keq për një 14 vjeçare besojmë. Në këtë mënyrë, me këto rezultate, ekipi shkodran ka arritur të grumbullojë më shumë pikë se të gjithë ekipet e tjera dhe është shpallur kampion edhe për këtë vit.

Ai e ka fituar titullin me thuajse 100 pikë më shumë sesa Tirana e vendit të dytë.

Titulli i sivjetëm është i dhjeti rradhazi për Vllazninë që kësisoj vazhdon të “bëjë ligjin” në atletikën shqiptare.

Një sukses i merituar ky i gjithë këtyre sportistëve por edhe punës së shkëlqyer që bëjnë trajnerët Vildan Tufi, Albert Marashi, Bruno Rrotani, Fatjon Serhati dhe Dorian Tafa.
© shkodrasport.com