Pas analizës që është bërë në Federatën Shqiptare të Atletikës dhe pas meritave që kanë marrë atletët dhe trajnerët e Vllaznisë për rezultatet e arritura gjatë vitit 2011, vetë drejtuesit e atletikës shkodrane kanë bërë një bilanc të arritjeve të tyre për vitin që po mbyllet. Njëri nga trajnerët e këtij ekipi, i mirënjohuri Isak Bala ekskluzivisht për www.shkodrasport.com ka thënë: “Ka qenë një vit mëse i mbarë për Vllazninë. E kemi filluar dhe e kemi mbyllur me vende të para. E nisim që me garat e krosit ku për herë të parë pas shumë e shumë vitesh, edhe me femrat arrijmë një rezultat të mirë teksa me treshen e sportisteve Griselda Krymi- Elvedine Oruçi dhe Seada Tushaj, Vllaznia zë vendin e parë me të rejat. Meritë padiskutim që ka këtu trajneri i tyre Fatjon Serhati. Për meshkuj nuk diskutohet që do dilnim të parët me sportistët Bledar Mesi, Florian Balaj dhe Zhaneto Zefi në garën e 12 km. Pas këtyre garave, do t’i vinte rradha kampionateve të moshave ku Vllaznia është kampione me 13 vjeçarët, 16, 18 dhe 20 vjeçarët. Po ashtu, vend të parë edhe në kupën “nderi i Figurave”, vend të parë në Kupën e Shqipërisë për të mbërritur tek kampionati kombëtar ku Vllaznia grumbullon 256 pikë, më shumë se gjithë ekipet e tjera të marra sëbashku. Për t’u përmendur janë gjithë kampionët: Albert Marashi në 400 m me kohën 50″14, Izmir Smajlaj në trehapësh me 14.60 m, Elton Bitincka në 110 m/p me 14″87, Lulëzim Çengeli në 400 m/p me 58″47, Bledar Mesi në 3000 m/p me 10’09”, Besmir Pepaj në shtizë me 55.40 m, Elsid Didari në 60 m me 7’14, Ravio Rama në 60 m/p me 9″09, po ashtu edhe në stafetën 4×100 m me sportistët Izmir Smajlaj, Elsid Dizdari, Mario Shestani e Ardenis Ibrahimi dhe në 4x 400 m me sportistët Elvedin Meti, Albert Marashi, Lulëzim Çengeli e Ermal Tivari, ndërsa tek femrat evidentohet Selda Pepaj në garën e shtizës. Të gjithë këta sportistë janë kampionë me të rriturit. Ndërkohë nuk mund të lihen pa u përmendur në rezultatet e këtij viti edhe sportistët e tjetër si Ardit Rrashi, Erdis Çaku, Fatjon Serhati, Durjon Idrizaj, Florian Balaj, Bajram Muça, Gledi Gojashi, Edir Tymi, Hermes Dinjas, Zhaneto Zefi, Izmir Kasemi, Elton Tula, Klinti Tula, Gledis Halluni, Lisart Draçini e Muhamet Çengeli. Si sukses i madh i atletëve shkodranë gjatë këtij viti janë padyshim edhe  dy medaljet e bronzit të Izmir Smajlajt në Kampionatin Ballkanik të të rinjve që u zhvillua në Turqi duke zënë dy vende të treta në garën e kërcimit së gjati dhe atë të trehapëshit”.

shkodrasport.com