Opinion nga Gjergj KOLA

E dëshironim të ishte ndryshe por kishim  edhe dyshimet tona dhe në fakt ata u konstatuan me tre lojtarët e parë që erdhën në merkaton e janarit. Sot është koha e internetit, e moshës digjitale dhe çdokush mund të  klikojë në “google” dhe aty nxjerr gjithçka do. Kështu ndodhi edhe me dy serbët e ardhur për provë tek Vllaznia. Për mbrojtësin Boshkoviç erdhën menjëherë sinjalet se në verë ai ishte provuar tek Laçi.

Drejtuesit e tij nuk e kishin mbajtur dhe kur nuk e mban Laçi, imagjino ta mbajë Vllaznia. Prova e sotme tregoi se ai nuk është lojtar për të luajtur në “Loro Boriçi”. Tifozët dhe ne gazetarët rezultuam të vërtetë në atë çfarë parashikuam. Jo se nuk donim që ai të qëndronte, por informacionet për të nuk ishin të mira. Për të kaluar tek serbi tjetër, sulmuesi Marko Jaksiç. Në internet thuhej e shkruhej se në karrierën e tij ky sulmues nuk kishte bërë ndonjë sezon më shumë se 5-6 gola. Në kampionatin e fundit, me skuadrën e tij kishte luajtur 10 ndeshje dhe kishte shënuar…ZERO gola!!! A mund ta zëvendësonte ky lojtar Xhevahir Sukajn? Natyrisht që jo. Për të mbërritur tek lojtari nga Benini- Felicien Singbo. Pat luajtur në Shkodër 7 vjet më parë vetëm dy muaj. U pat larguar natën për hënë nga ky qytet dhe kthehet krejt patjetër tani që është 7 vjet më i madh në moshë, i pastërvitur, me shpresë se do gjejë një vend tek Vllaznia. Por tek kjo skuadër kanë ndryshuar gjërat. Stafi drejtues nuk mund të pranojë lojtarë pa normat e duhura. Pa marrë garancinë se do bëjnë më të mirën për skuadrën. Tre ardhje për provë- tre dështim. Tentativat për të bërë një merkato cilësore deri tani janë të dështuara. Shkodranët e kanë nisur herët punën për seleksionimin e lojtarëve  por ata duhet ta kenë të qartë se në këtë gjysëmdhjetori, vetëm ata lojtarë që janë pa skuadër mund të vijnë për provë. Rrjedhimisht edhe dështimi është i prishëm. Thonë që do vijnë edhe shumë lojtarë të tjerë deri në fund të dhjetorit. Ne mbesim me shpresën se do gjenden lojtarët e duhur. Shpresat janë të pakta. Më e mira do ishte që drejtuesit e Vllaznisë, të dalin hapur dhe publikisht të deklarojnë (nuk është turp) që sivjet nuk kemi asnjë pretendim. Në këtë mënyrë do ta lënë të qetë Rudi vatën të punojë me të rinjtë dhe vitin e ardhshëm do kishim një Vllazni shumë më ndryshe.