Kryeministri Edi Rama e ka uruar peshëngritësin Briken Calja, i cili dje fitoi titullin kampion bote në shkëputje, ndërsa u shpall nënkampion në shtytje dhe dygarësh.

Me anë të një postimi në “Facebook”, kreu i qeverisë tha se Calja meriton përulje dhe respekt, sepse me talentin dhe vullnetin e tij të hekurt ia doli të ngjitet në majën e botës pa e humbur kurajën e as durimin.

“Kampion bote, Briken Calja, talenti me vullnet të hekurt meriton një përulje me respekt, sepse ia doli të ngjitet në majën e botës pa e humbur kurajën e as durimin, në të përpjetën e vështirë dhe të rrëshqitshme drejt majës.

Briken Calja ka shkruar historinë në Tashkent të Uzbekistanit, duke fituar 1 medalje ari dhe 2 argjendi ne Kampionatin Botëror të Peshëngritjes. Calja mori medaljen e arit në stilin e shkëputjes, ndërsa medalje argjendi në shtytje dhe dygarësh”, shkruan kryeministri Rama.

Por është i çuditshëm fakti që kryeministri e uron Briken Caljen si kampion, ndërsa Qeveria Shqiptare e shpërblen peshëngritësin si nënkampion, pasi vazhdon të njohë vetëm dygarëshin, duke i injoruar rezultatet në shtytje dhe shkëputje.

Duket vërtetë paradoksale, pasi edhe vetë Federata Botërore e njeh sportistin Briken Calja si kampion në stilin e shkëputjes, duke i akorduar edhe medaljen e artë. Ashtu sikurse i akordoi medaljet e argjendta në shtytje dhe dygarësh.