A do të jetë Ksabi Alonso trajneri i ri i Bajernit? Çdo ditë që kalon e bën më të besueshëm transferimin e mundshëm të numrit një të Leverkusenit në kampin bavarez.

Nuk është sekret tashmë që Alonso është një nga trajnerët më të kërkuar në futbollin europian. Bajerni ka filluar të bëjë një presion konstant për ish-mesfushorin sepse tashmë e ardhmja e Tuhelit është e përcaktuar dhe do të largohet në fundin e sezonit. Mediat raportojnë se ka pasur diskutime mes palëve, por Alonso është i përqendruar maksimalisht për ta mbyllur sa më mirë aventurën me Leverkusenin për të fituar titullin kampion në Gjermani.

Bavarezët kanë besim se në rast të largimit të tij nga Leverkuseni do të qëndrojë në Gjermani. Në këtë mënyrë duket se është parakaluar konkurrenca e Liverpulit, që gjithashtu ka shfaqur interesimin për të si pasardhës i Klopit. Vetë Ksabi Alonso nuk e ka shumë të sigurt të ardhmen dhe sigurisht që ka frikë për të pranuar ofertën e bavarezëve.

Në vitet e fundit aty ka pasur shumë ndryshime të trajnerëve dhe sigurisht që ai kërkon garanci dhe një kontratë të mirë për të pranuar ofertën.