Rikthimi i tij në garat kombëtare ka qenë me startin e duhur. Menjëherë kampion në garat e kampionatit dimëror të sallave të mbyllura zhvilluar në Elbasan. Bajram Muça ka zënë vendin e parë në 60 m/p por jo vetëm kaq. Me pikë të barabarta me shokun e tij të ekipit- Izmir Smajlajn, janë shpallur sportistët më të mirë të kampionatit. Vetë ai, në një prononcim për shkodrasport.com shprehet i kënaqur me këtë arritje të parë të këtij viti duke thënë: “Besoj se kam zhvilluar një garë shumë të mirë, madje duke arritur të kapë kohën time më të mirë dhe zura vendin e parë por edhe u shpalla sportisti më i mirë bashkë me Izmir Smajlajn. Kuptohet që ky është një motiv më shumë për të dhuruar të tjera rezultate pozitive në të ardhmen”. I pyetur se cili është pretendimi në garat e kampionatit Ballkanik të sallave të mbyllura, Muça shprehet: “Jam përzgjedhur nga Federata të jem pjesë e kombëtares në garat e Kampionatit Ballkanik. Nisemi më 27 drejt Stambollit dhe sigurisht që unë nuk do të shkoj si spektator. Pretendimi im është të futem në treshen e më të mirëve në garën time, për t’i dhënë një medalje Shqipërisë”. Një pretendim i tillë kuptohet që vjen nga forma e mirë që sportisti po kalon, por edhe nga objektivat që i ka vënë vetes për të ardhmen. I pyetur në lidhje me atë se çfarë kërkon nga vetja për vitin 2016, Bajram Muça do të shprehej: “Objektivi im sigurisht që është paraqitja sa më e mirë në çdo garë, për të fituar edhe titullin kampion në garat e qershorit por kuptohet që ëndërra ime e madhe është të fitoj të drejtën për në Olimpiadë. Pak e vështirë është por unë do të tentoj deri në fund këtë gjë”. Nuk dihet saktësisht për mënyrën si do të tentojë, me kapjen e normës apo me ftesë, por ai do ta provojë njëherë. Bajram Muça rikthehet në Shqipëri pas një periudhë 14 mujore që ka qëndruar në Gjermani, ku ka patur edhe një kontratë 9 mujore me ekipin e Papenburgut, me të cilin ka marrë pjesë edhe në disa gara duke zënë vende të para, por pamundësia për të rinovuar lejen e qëndrimit në atë vend, ka bërë që të rikthehet. Ai tashmë bashkë me trajnerin Albert Marashi, po punojnë fort në stërvitje, ndonëse në kushte jo të mira, për të ruajtur formën dhe për të arritur objektivat që i kanë vënë vetes.
Gjergj KOLA