Shqipëria do të luajë nesër në “Elbasan Arena”, miqësoren me Jordaninë, vetëm 4 ditë para se të përballet për ndeshjen e Ligës së Kombeve, ndaj Izraelit në transfertë.

Një test miqësor, për të parë gjendjen e grupit përballë një ndeshje vendimtare për fatet në turneun e Ligës së Kombeve.

Siç bëhet me dije, formacioni për nesër pritet të jetë 4-2-3-1. Strakosha duket i pazëvendësueshëm mes dy shtyllave.

Më pas, nga e djathta Hysaj, ndërsa në të majtë Lenjani, por një opsion është edhe Binaku i Malmos. Qendra e mbrojtjes përbëhet nga Mavraj e Gjimshiti, të dy pa shumë minuta në këmbë.

Basha dhe Lila do të bëjnë lidhjen e mbrojtjes, me pjesën para të ekipit, ndërsa në linjën ofensive, priten Grezda, Memushaj e Gavazaj, ose në vendin e ish-mesfushorit të Skënderbeut, Myrto Uzuni, i thirrur për herë të parë në Kombëtare.

Balotazhin për pozicionin e vetëm në sulm, mes Balajt e Manajt, mesa duket e ka fituar shkodrani. Gjithsesi, ditën e nesërme mund të mësohen më shumë të reja nga 11-shja e italianit.