Uiversitatea e Krajovës ndeshet të enjten me Vllazninë, në një përballje ku trajneri i rumunëve, Lazlo Balint, pret një betejë të ashpër, por sidoqoftë kërkon fitoren.

“Është një ndeshje e rëndësishme për klubin tonë, sepse ne synojmë dhe besojmë kalimin e këtij turi eliminator dhe shkuarjen sa më larg në Ligën e Konferencës. Jemi të ndërgjegjshëm për cilësitë dhe potencialin e skuadrës sonë dhe asaj që mund të arrijmë, ashtu sikundër jemi të ndërgjegjshëm edhe për cilësitë dhe potencialin e kundërshtarit dhe këtë nuk e themi thjesht për kortezi. Unë dëshiroj të besoj se djemtë do të nxjerrin më të mirën tonë si grup.

Është e rëndësishme që të fitojmë duelet në fushë dhe të jemi cinikë, sepse në ndeshjen e parë në Shkodër, patëm raste për gol dhe, po të kishim qenë në gjendjen e duhur psikologjike, sidomos me fillimin e pjesës së dytë, mund të kishim dyfishuar shifrat. Por edhe pasi u barazuar rezultati, skuadra reagoi mirë dhe patëm prapë mundësi. Por, të enjten synimi është vetëm një: fitorja!”

Stoli i tij është lëkundur pas 3 barazimesh, dy në kampionat dhe atë kundër Vllaznisë, por 43-vjeçari nuk dëshiron të flasë për mundësinë e shkarkimit në rast eliminimi.

“Gjumi im nuk ka qenë i qetë që kur kam ardhur në Krajovë, sepse dua me të vërtetë të korr sukses dhe për këtë punoj ditë e natë. Dëshira ime për sukses është e madhe, por unë e di që bota nuk ka durim, edhe pse kam premtuar dhe jap çdo gjë nga mundësitë e mia që skuadra të ketë rezultate të mira. Është e dhimbshme kur zhgënjehemi pas një ndeshjeje dhe prandaj u them lojtarëve që duhet të kemi përgjegjësi dhe motivim.

Nuk besoj se kam krijuar hendek midis meje dhe lojtarëve duke i kritikuar, edhe pse janë sajuar gjëra nga shtypi apo tifoza. Unë jam i pari që do të bëj analizën, të shikoj se çfarë kam bërë gabim dhe si mund ta bëj më mirë. Nuk është e lehtë të jesh në një kloub si Universitatea e Krajovës, pas një pjese të parë si ajo e fundjavës në Klujzh. Shkaqet janë të shumta, por e rëndësishme është që çdokush të kuptojë përgjegjësinë që ka, sepse kjo është puna jonë.”)

Trajneri i skuadrës rumune ka zbuluar se skuadra e tij nuk është e përgatitur për 11-metërsha.

“Nuk dua as ta mendoj se nuk nuk do të kualifikohemi, pasi shkojmë në këtë ndeshje me optimizëm. Prandaj dua të shoh motivimin dhe besimin në vetvete tek lojtarët e mi. Do të kishim dashur t’i fitonim këto 3 ndeshje, por ka disa faktorë që çuan tek marrja e 3 barazimeve dhe e rëndësishme është që të bëhet analiza e duhur.

Trysnia në çdo ndeshje është e madhe, por ne duhet të dimë si ta përballojmë, prandaj kemi punuar të gjithë dhe jemi mirënjohës që kemi arritur në këtë nivel, ku trysnia është e pranishme. Shpresoj të frymëzohem siç duhet dhe të përzgjedh një formacion fitues. Nuk kemi bërë stërvitje për goditjet nga pika e bardhë e 11-metërshve, pasi shpresojmë ta fitojmë ndeshjen dhe të kalojmë turin”.

Fjalëve të trajnerit u ka bërë jehonë edhe qendërmbrojtësi Valerica Gëman, i cili ka theksuar se për skuadrën e tij, alternativa e vetme është dhe duhet të jetë fitorja.