Vllaznia ndodhet në orët e fundit të përgatitjeve për ndeshjen e kthimit të Conference League përballë Univ.Craiova. Takimi i parë u mbyll në shifrat 1-1 në Shkodër dhe tashmë çdo gjë do vendoset në Rumani. Tek rumunët duket se ndihet presioni i ndeshjes, ku Vllaznia nuk qëlloi një kundërshtar aq edhe i lehtë siç e mendonin.

Problemet e brendshme tek ekipi i Craiovas apo edhe “ultimatumi” i presidencës apo edhe tifozerisë për kualifikim duket se janë në favor të kuqebluve. Kjo duke parë edhe organizmin që ka marrë përsipër tifozeria e Craiovas që do mbushë stadiumin. Pasi ishte një atmosferë elektrizuese në “Loro Boriçi”, rumunët do kërkojnë revansh.

Por, “Vllazni, ti s’je kurrë vetëm”, tifozët e zjarrtë kuqeblu kanë marrë përsipër ti qëndrojnë afër ekipit në këtë transfertë zjarri. Nën ambientin e “nxehtë” rumun do jenë edhe disa qindra zemra shkodrane që do mundohen të jenë pjesë e historisë së bashku me ekipin, që mund të marrë një kualifikim për herë të parë në turin e tretë.

E mbështetësit kuqeblu janë të veçantë dhe unik, e jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Sonte në orën 19:30 do jenë më të zjarrtë se kurrë, e për ti treguar edhe rumunëve që nuk tremben nga transfertat apo nga ekipet rivale e që Vllaznia s’do jetë kurrë vetëm në çdo cep të Europës ku mund të luajë.
Endri ÇINARI