Skuadra e Tiranës është shpallur sot në mbrëmje kampione e Shqipërisë në basketboll për meshkuj për sezonin 2022-2023, për të 21-tën herë në histori. Në ndeshjen e pestë finale play off luajtur në “Asllan Rusi”, në një pallat sporti të tejmbushur me tifozët e dy ekipeve, bardheblutë fituan 89-64 ndaj Besëlidhjes, duke fituar 3-2 serinë e takimeve.

Tirana kompletoi sot përmbysjen e madhe, duke anulluar avantazhin 0-2 me ndeshje pas dy finaleve të para. Besëlidhja, që synonte të shkruante historinë, nuk arriti të bëjë hapin e fundit, atë të titullit kampion, duke shpërdorur një avantazh të dyfishtë. Përvoja e basketbollistëve të Tiranës bëri diferencën në momentet vendimtare, duke e merituar fitoren.

Ndeshja e sotme ishte e ekuilibruar në 20 minutat e para, me barazime të shpeshta. Perioda e parë mbyllet 21-21, ndërsa në të dytën bardheblutë kanë një epërsi të lehtë, duke udhëhequr 41-38. Në periodën e tretë vjen shkëputja e Tiranës, që është më e saktë në gjuajtje e poshtë koshit, duke udhëhequr 66-51.

Besëlidhja, në përpjekje për të ngushtuar shifrat gabon e kjo i jep mundësi Tiranës të shkëputet edhe më shumë, duke shkuar mbi 20 pikë epërsi. Ndeshja ndalet disa minuta për hedhje të sendeve në fushë nga ana e tifozëve. Pasi situata qetësohet, ndeshja shkon drejt fundit me fitoren e Tiranës, me shifrat 89-64, duke festuar me fansat e saj.

Bernard me 35 pikë ishte lojtari më i mirë në fushë për lezhjanët, por që s’mjaftuan, pasi nuk u mbështet si duhet nga pjesa tjetër e ekipit. Për Tiranën, Hysenagolli relizoi 23 pikë e 20 rebound, mbështetur nga Bonner me 23 pikë e Davis me 16 pikë. Hamati, u shpall MVP i finaleve.

Kështu, Tirana rikthehet kampione e Shqipërisë pas 5 vitesh mungesë, duke u rikthyer në elitën e basketbollit shqiptar. Bardheblutë e trajnerit Erkand Karaj arritën që falë pjekurisë e qetësisë të fitojnë këtë titull, duke mundur rivalët në play off, fillimisht kampionët e Teutës e më pas Besëlidhjen, duke nisur festën e merituar.

Play off-Meshkuj

Nd.1, Besëlidhja – Tirana, 93-77

Nd.2, Tirana – Besëlidhja, 73-80

Nd.3, Besëlidhja – Tirana, 63-76

Nd.4, Tirana – Besëlidhja, 82-66

Nd.5, Besëlidhja – Tirana, 64-89